Bie numri i nxënësve të regjistruar në klasë të parë në këtë qytet turistik
Numri i nxënësve të regjistruar në klasë të parë në Strugë dhe rrethinë nga viti në vit është në rënie. Viteve të fundit për shkak të trendit të migrimit masiv, shkollat gjithnjë e më shumë po boshatisen. Kjo rënie është vërejtur më së shumti në fshatra. Ndërsa nuk vërehet një rënie drastike në shkollën fillore “Vëllezërit Milladinov” në Strugë. 5 vitet e fundit, në këtë shkollë, numri i nxënësve të regjistruar në klasë të parë ka qenë pothuajse i njëjtë, megjithatë nëse krahasohet me një dekadë më parë, vërehet një rënie e madhe e numrit të nxënësve.
“Shkolla “Vëllezërit Milladinov” është një nga shkollat ose është shkolla e parë, në fakt e vetmja në Strugë që është 3 gjuhësore, dhe nxënësit këtu nuk mund të themi se janë pakësuar. Ka gjenerata që vijnë me më pak nxënës, por nuk janë pakësuar nxënësit, në këto 5 vite për shembull, ndryshimet nuk janë shumë në dukje, ka ikje por shkolla mbetet me numrat pothuajse të njëjta. Po të shkojmë më larg, 10-15 vjet, atëherë ndryshimet janë akoma më të mëdha.”, – u shpreh drejtoresha e shkollës fillore “Vëllezërit Milladinov”, Albana Cufaj Zhuta.
Në shkollën fillore “Vëllezërit Milladinov” në Strugë për vitin akademik 2024/2025 janë regjistruar rreth 80 nxënës, më shumë nxënës nga viti i kaluar që kishte 76. Nga udhëheqësia e shkollës thonë se në qytet nuk ka ndryshime të mëdha, sikurse nëpër fshatra, për shkak se tashmë ka banorë të fshatrave që regjistrojnë fëmijët në shkollën e qytetit.
“Mendoj ngaqë është shkollë qendrore dhe ka prurje nga fshatrat, sidomos prindërit që punojnë në qytet, mendojnë që fëmijën e kanë më lehtë ta sjellin, kështu që numrat nuk kanë rënë në shkollën tonë. Mendoj që kjo është më e dukshme në zonat rurale, në fshatra.”, – theksoi drejtoresha e shkollës fillore “Vëllezërit Milladinov”, Albana Cufaj Zhuta.
Rënie të madhe të numrit të nxënësve të regjistruar në klasë të parë ka edhe në fshatrat e mëdha të Strugës, siç është rasti i shkollës së fshatit Ladorisht, i cili përfshin 5 fshatra, janë regjistruar vetëm 44 nxënës, ndryshe nga viti i kaluar që ishin regjistruar 65 nxënës. Situata e njëjtë është edhe në fshatrat tjera të mëdha si Dollogozhda, Veleshta dhe Llabunishta, ku viteve të fundit numri i nxënësve gjithmonë e më shumë zvogëlohet.
















