Dy të mitura arrestohen në Qendër të Shkupit, sulmuan një vajzë dhe e filmuan me telefon
Policia ka arrestuar dy vajza të mitura në Shkup, të dyshuara për sulm fizik ndaj një bashkëmoshatareje, marrjen e sendeve personale dhe parave të saj, si dhe filmimin e incidentit me telefon celular.
Sipas informacioneve të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), ngjarja ka ndodhur dje në zonën e Komunës Qendër të Shkupit.
Në orën 19:50, zyrtarët policorë të SPB Shkup kanë privuar nga liria dy të miturat nga Shkupi, pas një denoncimi paraprak se rreth orës 18:10 kishin ndaluar një vajzë tjetër të mitur.
Sipas denoncimit, njëra prej tyre e kishte sulmuar fizikisht vajzën, ndërsa tjetra i kishte marrë sendet personale dhe paratë, si dhe e kishte filmuar me telefon celular.
“Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të dorëzohet parashtresa përkatëse”, njoftojnë nga MPB.
Rasti është duke u hetuar nga policia, ndërsa pas përfundimit të procedurave pritet të ndërmerren masat përkatëse ligjore.
Flaka















