Ende pa u formuar, Qeveria në presion!

Flaka
Botuar nga Flaka 3 Qershor, 2024 19:31

Ende pa u formuar, Qeveria në presion!

Deklarata e legjitimitetit etnik e firmosur nga krerët e Frontit Europian ka ndezur reagimet në bllokun shqiptar. Izet Mexhiti, kryetar i Lëvizjes Demokratike, pjesë e Koalicionit VLEN, thotë se Ahmeti dhe shokët e tij nuk duhet të shqetësohen fare për legjitimitetin, sepse e dinë që e kanë humbur dhe VLEN është faktori i ri legjitim që do ta përfaqësojë shqiptarët

Shfaqja ka mbaruar, është koha për të ulur perden, i porositi Izet Mexhiti nga Koalicioni VLEN, Frontit Evropian, liderët e të cilit dje në Tetovë nënshkruan një deklaratë politike për legjitimitetin zgjedhor etnik, e cila do t’u dërgohet të gjitha institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Deklarata që kërkon që “partnerët e koalicionit qeveritar të përcaktohen me vullnetin elektoral të dy komuniteteve më të mëdha në vend, shqiptarëve dhe maqedonasve, si dhe përfaqësuesve legjitimë të komuniteteve të tjera”, u miratua nga të gjitha organet partiake, përfaqësues në pushteti qendror, legjislativ dhe lokal që janë pjesë e Frontit Europian. Derisa Fronti Evropian i udhëhequr nga BDI-ja shpreson që me deklaratën dhe apelet ndaj institucioneve ndërkombëtare të bëjë ndryshim në përbërjen e qeverisë, sot në Parlament do të mbahet mbledhja e parë koordinuese, ku do të diskutohet se kur Parlamenti mund të miratojë ndryshimet në Ligjin për organizimin e punës së organeve të administratës shtetërore, në mënyrë që të votojë për qeverinë e re me resore të riorganizuara. “Treni është larguar, përpjekjet e BDI-së për ta ndalur procesin janë të kota”, ka komentuar shkurt nga VLEN

Izet Mexhiti, kryetar i Lëvizjes Demokratike, pjesë e Koalicionit VLEN, thotë se Ahmeti dhe shokët e tij nuk duhet të shqetësohen fare për legjitimitetin, sepse e dinë që e kanë humbur dhe VLEN është faktori i ri legjitim që do ta përfaqësojë shqiptarët. “Drama në regji të Ali Ahmetit që po shfaqet sot në Tetovë është vetëm demonstrim frike nga humbja e privilegjeve me të cilat njëherë u pasuruan, e tani po përpiqen t’a mbrojnë pasurinë e krijuar me paratë tona, derisa qytetari i thjeshtë mezi lidh fillimin me fundin e muajit. E kuptoj dëshpërimin e tyre: 20 vite kanë jetuar në llogari të popullit dhe janë pasuruar me paratë e qytetarit! Qëllimin e kanë një: dëshpërimisht të mbrojnë humbjen e pushtetit, kolltuqet dhe bizneset e tyre familjare, qëllim i kamufluar me patriotizma e folklorizma”, shkruan Izet Mexhiti në rrjetin social Facebook.

PËRÇAJ E SUNDO

Fronti Europian nuk heq dorë nga beteja për legjitimitet dhe kërkon që vullneti elektoral i votuesve të tyre të përfaqësohet në qeveri. Siç tha dje kreu i BDI-së, zhvillimet dhe hapat e ndërmarrë pas zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të 8 majit 2024 e vunë në pikëpyetje frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe tani situata po i kthehet politikës “përça dhe sundo”.

Partnerët nga fronti nënshkruan qëndrimin se demokracia në RMV mund të jetë funksionale dhe stabile vetëm kur komuniteti shumicë respekton përfaqësuesit legjitimë të vullnetit politik të shqiptarëve, turqve, romëve, boshnjakëve dhe komuniteteve të tjera. Në deklaratë thonë se ky vullnet duhet të respektohet nga mandatari, ndërsa mospërfillja e legjitimitetit mundëson vendosjen e hegjemonisë etnike dhe poshtërimin e shqiptarëve, turqve, romëve, boshnjakëve e të tjerë. “Kjo shumicë monoetnike, e cila cenon legjitimitetin e bashkësive të tjera etnike, rëndon bashkëjetesën, demokracinë dhe nuk duhet ta lejojmë të gjithë së bashku. Ne, forcat e brendshme dhe komuniteti ndërkombëtar, si garantues të Marrëveshjes së Ohrit dhe lehtësues të Marrëveshjes së Majit, nuk duhet të lejojmë një kthim prapa, anulimin e arritjeve të përbashkëta të deritanishme dhe duhet të parandalojmë përsëritjen e mosrespektimit të vullnetit politik dhe legjitimitetit të sovrani, sepse të gjithë mbajmë përgjegjësi për paqen, sigurinë, stabilitetin e vendit tonë dhe të rajonit”, tha Ahmeti duke lexuar pjesën përfundimtare të deklaratës.

OSE, OSE, ZGJIDHJE TJETËR NUK KA?

Liderët që nënshkruan deklaratën politike përkujtuan se ishte fryma e marrëveshjes së Ohrit që la mënjanë idetë e një parlamenti dydhomësh apo autonominë territoriale. Për këto aspekte folën Ziadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët dhe Menduh Thaçi nga PDSH. “Nëse Hristijan Mickoski e ka gjetur vendin ku maqedonasit e shprehin legjitimitetin e tyre 54%, atëherë ose duhet të na tregojë vendin ku ne shqiptarët dhe komunitetet tjera do ta shprehim legjitimitetin dhe do të zgjedhim përfaqësuesit tanë politikë, ose këtë vend do ta vizatojmë vetë, ne do të dimë ta zgjedhim vetë. Sigurisht që nuk ka rrugë tjetër!”, ka thënë Sela në fjalimin e tij. Thaçi theksoi se marrëveshjet e nënshkruara “nuk janë shaka”. “Shqiptarët nga Maqedonia kishin referendumin për autonomi politiko-territoriale. Shqiptarët e Maqedonisë kishin në tryezë kërkesat për një parlament dydhomësh, për ndryshime kushtetuese, por me kompromise të vitit 1990, në 2001 dhe në 2016, ne shqiptarët i bëmë ato kompromise, sepse na garantohej që Maqedonia do të ishte në NATO dhe BE”, tha Thaçi.

Fjalimet mbajtën të gjithë liderët e partive që janë pjesë e Frontit Evropian. Kryetari i Lëvizjes Populli, Skënder Rexhepi-Zejd, është tallur me spekulimet se deputetët e frontit do t’i bashkohen shumicës. “Para disa ditëve thanë se 3-4 deputetë me një këmbë janë pjesë e shumicës së tyre abstrakte. Por unë do të pyes publikisht, me cilën këmbë? Le të na tregojnë, me të djathtën apo me të majtën? Sepse ata që kanë legjitimitet nga ata që u japin sovranitetin hyjnë në qeveri me këmbën e djathtë, ata që i shërbejnë Mickoskit hyjnë me këmbën e majtë”, kritikoi Rexhepi.

Sipas kryetarit të PDE-së, Arianit Hoxha, përderisa të tjerët përpiqen të testojnë Frontin Evropian, shteti dhe e ardhmja janë në provë. “Në vitin 2001 është lidhur marrëveshja e paqes, e cila është Marrëveshja Kornizë e Ohrit dhe çdo gjë që del nga kjo marrëveshje i prish ekuilibrat etnike dhe politike dhe hap një kapitull të ri. Premtoj se si PDE qëndrojmë pas mbrojtjes së zërit dhe legjitimitetit të qytetarëve”, tha Hoxha.

TËRHEQJA E VËMENDJES NDËRKOMBËTARE

Fronti Evropian shpreson të tërheqë vëmendjen ndërkombëtare për mënyrën se si u kërcënua Marrëveshja e Ohrit në Maqedoninë e Veriut. Se a do të shkaktojë dhe çfarë jehone ndërkombëtare kjo deklaratë mbetet të shihet, por besojnë se sinjali është dërguar me të. Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, i cili para tri ditësh në Pragë mori pjesë në takimin jozyrtar të ministrave të punëve të jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, ka postuar në Facebook një foto me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, duke shpjeguar se çfarë kanë biseduar. “Me Sekretarin Blinken diskutova për aktualitetin në vendin tonë dhe domosdoshmërinë e vazhdimit të rrugës euroatlantike të vendit, përkushtimin për një demokraci funksionale multietnike dhe respektimin e tri marrëveshjeve. E falënderova për mbështetjen e vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Osmani. (koha.mk)

123
SONDAZHI

A e lejon legjislacioni aktual që studentët shqiptarë ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare?

Flaka
Botuar nga Flaka 3 Qershor, 2024 19:31
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media. Shkrimet nga MGID, nuk janë në menaxhim të redaksisë.
123
SONDAZHI

A e lejon legjislacioni aktual që studentët shqiptarë ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare?

  • 2,8 miliardë euro në bixhoz: simptomë e një shoqërie në pasiguri – Çfarë flet sociologjia për fenomenin?