Fusha të përfshira nga zjarri në Vrapçisht, autoritetet apelojnë për kujdes
Disa sipërfaqe bujqësore në territorin e Komunës së Vrapçishtit janë përfshirë sot nga flakët, duke shkaktuar rrezik serioz për ambientin dhe pronën e banorëve lokalë.
“Zjarri ka përfshirë disa zona të hapura në komunën tonë, duke rrezikuar edhe tokat përreth. Ekipet e zjarrfikësve të Komunës së Vrapçishtit, në bashkëpunim me Njësinë e Zjarrfikësve të Bogovinës, janë në terren dhe po punojnë me përkushtim për të lokalizuar dhe shuar flakët,” njoftojnë nga Komuna e Vrapçishtit.
Autoritetet vendore i bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin ndezjen e zjarreve në hapësira të hapura.
“Apelojmë fuqimisht që të mos digjen mbeturina, kashtë apo çdo lloj materiali tjetër në fusha dhe sipërfaqe të hapura. Rreziku është real dhe çdo pakujdesi mund të sjellë pasoja të rënda,” thuhet më tej në reagimin e komunës.
Sipas të dhënave të para, zjarri ka shkaktuar dëme materiale, por për momentin nuk raportohet për rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e njerëzve.
Komuna ka theksuar se çdo veprim i pakujdesshëm në këtë periudhë të thatë dhe me temperatura të larta mund të kthehet në katastrofë.
“Kujdesi dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve janë thelbësorë për të mbrojtur natyrën, jetën dhe pronën tonë të përbashkët,” përfundon njoftimi zyrtar. Flaka
















