Himni çdo të hënë në shkollat e Gazi Babës, ASH kundër – VLEN përballë qëndrimeve të veta të vitit 2023

Flaka
Botuar nga Flaka 9 Shtator, 2026 22:12

Himni çdo të hënë në shkollat e Gazi Babës, ASH kundër – VLEN përballë qëndrimeve të veta të vitit 2023

Aleanca për Shqiptarët kundërshton vendimin për intonimin e himnit shtetëror çdo të hënë në shkollat fillore të Komunës së Gazi Babës, duke e cilësuar këtë si simbolikë që nuk mund të zëvendësojë investimet dhe kushtet e nevojshme për nxënësit.

Këshilltarja e ASH-së, Makfire Iseni, akuzoi pushtetin lokal se përmes vendimit për himnin po përpiqet të largojë vëmendjen nga problemet me të cilat përballen shkollat.

“Çfarë po bëhet për nxënësit përtej himnit? Po mbyllen shkolla, po humbin paralele, ndërsa në Hasanbeg dhe shkolla të tjera ka mbingarkesë me nxënës dhe mungesë të kushteve elementare”, deklaroi Iseni.

Por vendimi për intonimin e himnit nuk është marrë së fundmi. Sipas procesverbalit të Këshillit të Komunës së Gazi Babës, vendimi është miratuar në tetor të vitit 2023, me 22 vota “për”, një votë “të përmbajtur” dhe asnjë votë kundër.

Kryetari i komunës, Boban Stefkovski, e bëri publik vendimin ditët e fundit, ndërsa deri tani nuk është dërguar urdhër zyrtar në shkolla. Megjithatë, Komuna ka publikuar pamje nga intonimi i himnit në shkollën “Kiril dhe Metodi” në Stajkovcë.

Në gjithë këtë debat, bie në sy mungesa e një qëndrimi nga VLEN-i, i cili aktualisht është pjesë e pushtetit qendror.

Qëndrimi i kësaj partie për çështjen e himnit ka qenë i njohur më herët. Në vitin 2023, atëherë kryetar i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami kishte kërkuar që himni shtetëror të ndryshohet, duke argumentuar se ai nuk pasqyron realitetin multietnik të Maqedonisë së Veriut.

“Përderisa është ky realitet, atëherë kjo nënkupton që ose të ndërrohet himni i shtetit dhe të respektojë diversitetin kulturor dhe etnik ose, nëse bihet vendim kështu që është të intonohet, atëherë duhet të respektohet përkatësia multietnike e shtetit dhe e shoqërisë dhe në komunat apo lokalitetet me shumicë shqiptare, si komuniteti i dytë shumicë, duhet të intonohet edhe himni shqiptar”, kishte deklaruar Kasami më 25 tetor 2023.

Ironia politike është se sot, kur një komunë vendos të zbatojë intonimin e himnit shtetëror në shkolla, VLEN nuk ka dalë me qëndrim publik për këtë nismë.

Ndërkohë, në Tetovë situata ka marrë një tjetër dimension. Edhe pse Komuna e Tetovës nuk ka miratuar vendim apo urdhër për intonimin e himnit kombëtar shqiptar, kryetari Bilall Kasami mori pjesë në aktivitetin për fillimin e vitit shkollor në shkollën e Shipkovicës, ku ceremonia nisi me himnin kombëtar shqiptar.

Edhe Izet Mexhiti, pasi u bë pjesë e Qeverisë, ka deklaruar publikisht se ka nevojë të ndryshohet himni dhe stema shtetërore, duke argumentuar se ato i përkasin një periudhe të kaluar historike.

Këto qëndrime lidhen drejtpërdrejt edhe me programin zgjedhor të VLEN-it. Në pjesën që trajton barazinë kombëtare dhe Marrëveshjen e Ohrit, koalicioni kishte premtuar se përdorimi i himnit, stemës dhe flamurit kombëtar shqiptar në shkolla dhe institucione do të gëzonte të drejtë të barabartë ligjore me simbolet maqedonase.

Por, pas ardhjes në pushtet, këto premtime nuk janë realizuar në masën e paralajmëruar. Çështja e simboleve shtetërore dhe përdorimit të tyre në institucionet publike vazhdon të mbetet kryesisht në të njëjtin nivel si para hyrjes së VLEN-it në Qeveri.

Lajmi ndryshe: Debati për himnin në shkollat e Gazi Babës nuk është vetëm një çështje ceremoniale. Ai rikthen në vëmendje një nga temat që VLEN e kishte vendosur në mesin e premtimeve të saj për barazi dhe përfaqësim të komuniteteve. Sot, megjithatë, përballë vendimit të një komune për intonimin e himnit shtetëror, nga kjo parti nuk ka një qëndrim të qartë publik. Gazeta Flaka

281

SA JENI TË KËNAQUR ME PUNËN E QEVERISË VMRO-DPMNE–VLEN–ZNAM?

Flaka
Botuar nga Flaka 9 Shtator, 2026 22:12
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media. Shkrimet nga MGID, nuk janë në menaxhim të redaksisë.
281

SA JENI TË KËNAQUR ME PUNËN E QEVERISË VMRO-DPMNE–VLEN–ZNAM?

  • DritonZenku
    Shkollat po mbyllen, fshatrat po zbrazen: alarmi demografik në Maqedoninë e Veriut