Ja si të aplikoni në Konkurset vjetore të kulturës
Një javë pas shpalljes së konkurseve për mbështetjen e projekteve me interes kombëtar në kulturë për vitin 2025, Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka nisur infosesionet në disa qytete. Jo vetëm për të sqaruar ndryshimet në kriteret e këtij viti dhe mënyrën e konkurrimit, por edhe për të zgjuar interesin në rënie të aplikimeve vitet e fundit, që i ka detyruar të shtyjnë afatin e konkurrimit
Gostivari, Shtipi, Strumica, Manastiri dhe Ohri janë destinacionet që ka përzgjedhur Ministria e Kulturës dhe Turizmit për të sqaruar mënyrën sesi të aplikohet në konkurset vjetore me interes nacional në kulturë. Infosesionet janë zhvilluar në qendrat e kulturës së këtyre qyteteve të drejtuara nga ekipet e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, të hapura për t’i dhënë përgjigje të gjitha pyetjeve lidhur me procesin e aplikimit. Konkurset për mbështetjen e projekteve me interes kombëtar në kulturë për vitin 2025 janë shpallur një javë më parë dhe do të qëndrojnë të hapura deri në fund të muajit tetor. Inforsesionet zhvillohen jo vetëm për të sqaruar edhe ndryshimet e reja, por edhe për të rritur numrin e aplikantëve që ka rënë dukshëm vitet e fundit, pas vendosjes së aplikimit në formë elektronike. “Sesionet informuese do të zhvillohen nga ekipe të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dhe janë të dedikuara për të gjithë shfrytëzuesit e mjeteve buxhetore të këtyre konkurseve, për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve të hapura lidhur me regjistrimin”, thonë nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit.
Ministria e Kulturës dhe Turizmit për herë të parë këtë vit miratoi akte të veçanta lidhur me procedurën e zbatimit të Konkurseve Vjetore, si Udhëzuesi për përcaktimin e llojeve të projekteve që do të mbështeten, prioriteteve, kushteve për pjesëmarrje, kritereve për vlerësimin e projekteve, si dhe Udhëzimin për kriteret për emërimin e anëtarëve të komisioneve që do të vlerësojnë projektet e pranuara. “Synimi ynë ishte që të mundësojmë një vlerësim objektiv dhe të qëndrueshëm të aplikacioneve në mënyrën më transparente dhe të mbështesim projekte cilësore që do të kenë përfitime – zhvendosjen e zhvillimit të kulturës në vendin tonë. Në këtë kontekst, dua t’ju informoj se në ditët në vijim do të shpallen publikisht anëtarët e të gjitha komisioneve që do të bëjnë vlerësimin e projekteve të paraqitura në konkurset vjetore për vitin 2025”, deklaroi ministri Zoran Ljutkov gjatë shpalljes së konkurseve.
Aplikimi elektronik do të zbatohet plotësisht përmes Portalit Kombëtar për shërbimet elektronike. Përdoruesit do të mund të gjejnë udhëzime teknike dhe mbështetje gjatë regjistrimit në ueb faqen uslugi.gov.mk, si dhe përmes qendrës së kontaktit të këtij portali kombëtar. Përdoruesit këtë vit do të mund të kërkojnë ndihmë në pjesën e aplikimeve, nga pikëpamja profesionale, në departamentet e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit. Kontaktet me personat përgjegjës dhe e-mail adresat e tyre do të publikohen në ueb faqen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit. Një prej ndryshimeve është heqja e projektet ndërdisiplinore dhe industritë kreative, përkatësisht MKT nuk do t’i mbështesë projekte dhe aktivitete të tilla. (koha.mk)
















