Janevska: Fëmijët meritojnë të rriten pa frikë dhe me mundësi të barabarta
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në Ditën Botërore të Fëmijëve theksoi se krijimi i kushteve për një fëmijëri të lumtur, arsim cilësor dhe të ardhme me perspektivë është përgjegjësi e përbashkët e institucioneve, familjeve, kompanive dhe gjithë shoqërisë.
Në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Fëmijëve dhe fillimit të aktiviteteve për 80-vjetorin e themelimit të UNICEF-it, Janevska mori pjesë në ngjarjen „I biem kambanës për fëmijët“, të organizuar nga UNICEF-i dhe Bursa e Maqedonisë.
Ajo theksoi se çdo fëmijë duhet të ketë mundësinë të zhvillojë potencialin e tij, të rritet në një mjedis të sigurt dhe të mësojë pa frikë, me kurajë për të pyetur, hulumtuar dhe besuar në aftësitë e veta.
„Ne kemi privilegjin e përbashkët të jemi të rriturit në fëmijërinë e fëmijëve të sotëm. Kjo e bën përgjegjësinë tonë edhe më të madhe“, deklaroi Janevska.
Duke folur për reformat në arsim, ministrja nënvizoi se Ministria e Arsimit dhe Shkencës po investon në përmirësimin e infrastrukturës shkollore dhe në krijimin e kushteve më të mira për nxënësit. Në këtë drejtim, ajo veçoi zgjerimin e mësimit me një ndërrim dhe qëndrimin e zgjatur në shkolla, të cilat synojnë t’u mundësojnë fëmijëve më shumë kohë për mësim, sport, kreativitet dhe aktivitete të tjera.
Sipas saj, shkolla nuk duhet të jetë vetëm vend për përvetësimin e njohurive, por edhe hapësirë ku formohen personaliteti, pavarësia dhe aftësitë e fëmijëve.
Janevska vlerësoi gjithashtu rolin e mësimdhënësve, duke theksuar se përgjegjësia e tyre nuk kufizohet vetëm në përcjelljen e njohurive, por përfshin edhe dëgjimin e nxënësve, kuptimin e nevojave të tyre dhe nxitjen e mendimit të pavarur.
Ajo u ndal edhe te rëndësia e arsimit gjithëpërfshirës, duke theksuar përpjekjet për rritjen e përfshirjes së fëmijëve në arsim dhe zvogëlimin e braktisjes së shkollës.
„Arsimi nuk mund të funksionojë pa familjen, ndërsa familja ka nevojë për mbështetjen e komunitetit më të gjerë. Kujdesi që një shoqëri tregon ndaj fëmijëve dëshmon se sa e pjekur është ajo shoqëri si tërësi“, theksoi ministrja.
Në këtë kontekst, ajo mbështeti iniciativën „I biem kambanës për fëmijët“, duke vënë në pah se të drejtat dhe nevojat e fëmijëve duhet të merren parasysh në çdo vendimmarrje shoqërore, përfshirë edhe vendimet afariste dhe investuese.
Dita Botërore e Fëmijëve dhe 80-vjetori i UNICEF-it këtë vit shënohen nën moton globale „Të zgjedhim një të ardhme për fëmijët“, me fokus te investimet në vitet e para të jetës dhe sigurimi i qasjes së barabartë në edukimin e hershëm, arsim dhe kujdes cilësor për çdo fëmijë.
Burimi: Ministria e Arsimit dhe Shkencës
Flaka















