Kërcënoi se do t’i digjte vajzën dhe mbesën, derdhi dy shishe benzinë në shtëpi
Prokuroria kërkon paraburgim për 54-vjeçarin nga Kumanova, i cili dyshohet se kërcënoi me jetë vajzën dhe mbesën e tij, ndërsa në banesën familjare derdhi dy shishe benzinë. Autoritetet vlerësojnë se ekziston rrezik serioz që dhuna të përsëritet dhe kërcënimet të realizohen.
Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë ka nisur procedurë hetimore ndaj një burri 54-vjeçar, i dyshuar për veprën penale „Rrezikim i sigurisë“, pasi kishte kërcënuar se do t’i digjte vajzën dhe mbesën e tij.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, përveç kërcënimeve verbale, i dyshuari kishte ndërmarrë edhe veprime konkrete, duke derdhur dy shishe benzinë në shtëpinë familjare.
Procedura është iniciuar pas kallëzimit penal të paraqitur nga SPB Kumanovë, ndërsa rasti po trajtohet në bazë të nenit 144, paragrafi 3, në lidhje me paragrafët 2 dhe 1 të Kodit Penal.
Rrethanat e rastit janë veçanërisht shqetësuese, pasi, sipas Prokurorisë, sjellja e dhunshme e të dyshuarit është përsëritur edhe më parë. Kundër tij tashmë është ngritur aktakuzë për lëndim trupor të vajzës së tij gjatë ushtrimit të dhunës në familje, nën ndikimin e alkoolit. Edhe kjo lëndë tashmë ndodhet në procedurë gjyqësore.
Pas raportimit të rastit të fundit, është hartuar një vlerësim urgjent i rrezikut, i cili ka evidentuar rrezik serioz për jetën, integritetin fizik dhe psikik të viktimës dhe anëtarëve të familjes së saj.
Vlerësimi ka konstatuar gjithashtu rrezik për përsëritjen e dhunës, duke krijuar frikë të arsyeshme se i dyshuari mund t’i përsërisë veprimet e mëparshme ose të kryejë një vepër edhe më të rëndë penale, përkatësisht t’i realizojë kërcënimet për djegien e vajzës dhe mbesës.
Prokuroria njofton se në këtë rast tashmë po ndërmerren veprime për sigurimin e provave, në përputhje me mekanizmin e përforcuar për koordinim urgjent ndërinstitucional në rastet e dhunës në familje.
Për shkak të seriozitetit të rrethanave dhe rrezikut të mundshëm për viktimat, prokurori publik ka vlerësuar se qëllimi i paraburgimit nuk mund të arrihet përmes ndonjë mase më të butë.
Për këtë arsye, gjykatës kompetente i është dorëzuar propozim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 54-vjeçarit.
Flaka















