Kush është Justina Shiroka-Pula, Presidente e re e Republikës së Kosovës?
Justina Shiroka-Pula është ekonomiste, profesoreshë universitare dhe akademike kosovare. Ajo ka lindur në vitin 1953 në Prishtinë dhe ka një karrierë të gjatë në akademi, ekonomi, administratë publike dhe politikë.
Në vitin 1976 ka përfunduar Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës. Studimet pasuniversitare në fushën e teorisë dhe politikës së zhvillimit ekonomik i ka kryer në Universitetin e Zagrebit, ku është diplomuar në vitin 1984. Doktoraturën e ka përfunduar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, me temën “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”.
Karrierën profesionale e ka nisur në Bankën Popullore të Kosovës, ndërsa nga viti 1978 është angazhuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Gjatë karrierës akademike ka punuar në fushën e kërkimeve operacionale, metodave matematikore dhe statistikore, menaxhmentit, zhvillimit të bizneseve dhe procesit të vendimmarrjes.
Ajo ka pasur edhe angazhime akademike jashtë Kosovës. Ka ligjëruar në Universitetin e Tetovës gjatë viteve 1994–1999 dhe në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë gjatë viteve 2003–2004. Gjithashtu ka kryer studime pasdoktorale në Universitetin e Lincit në Austri dhe në Universitetin e Arizonës në SHBA.
Shiroka-Pula ka pasur edhe një rol të rëndësishëm në shoqërinë civile, veçanërisht në fushën e fuqizimit të grave, barazisë gjinore, zhvillimit të biznesit dhe ndërmarrësisë. Në vitin 2001 ishte ndër themelueset e Rrjetit të Biznesit të Grave Kosovare.
Në politikë, ajo ka shërbyer si ministre e Energjisë dhe Minierave e Kosovës nga viti 2008 deri më 2011, ndërsa nga viti 2011 deri më 2014 ka qenë deputete në Kuvendin e Kosovës.
Në vitin 2016 u zgjodh anëtare korrespondente e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2020 u bë anëtare e rregullt e ASHAK-ut. Në dhjetor 2025 u zgjodh kryetare e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, duke u bërë gruaja e parë në krye të këtij institucioni.
Sot, në fokus për Presidencën
Më 6 tetor 2026, Justina Shiroka-Pula është bërë figurë qendrore në zhvillimet politike në Kosovë, pasi kryeministri Albin Kurti e ka propozuar për Presidente të Kosovës.
Kandidatura e saj vjen ndërsa ajo aktualisht drejton ASHAK-un dhe ka pas vetes një karrierë disa-dekadëshe në akademi, administratë publike dhe politikë.












