LSDM ngre shqetësime për blerjen e ZOIL Maqedonia nga Alta Banka: A janë të sigurta policat e qytetarëve?
Bogdanka Kuzeshka kërkon përgjigje nga institucionet dhe Agjencia për Mbikëqyrje të Sigurimeve lidhur me aftësinë e kompanisë për të paguar dëmet e siguruara pas zhvillimeve që lidhen me Davor Macurën.
Partia opozitare LSDM ngre shqetësime lidhur me blerjen e shoqërisë së sigurimeve ZOIL Maqedonia nga Davor Macura, për rreth 1.7 milionë euro, duke kërkuar sqarime nëse kjo marrëveshje mund të ndikojë në sigurinë e policave dhe pagesën e dëmeve për qytetarët.
Zëdhënësja e LSDM-së dhe anëtarja e Bordit Ekzekutiv të partisë, Bogdanka Kuzeshka, akuzoi kryeministrin Hristijan Mickoski dhe ministrin e Financave, Slavko Sllaveski, se jo vetëm që e kanë mundësuar hyrjen e Alta Bankës në tregun bankar të Maqedonisë, por edhe blerjen e kompanisë së sigurimeve ZOIL Maqedonia nga Macura.
„Mickoski dhe Sllaveski jo vetëm që e sollën Alta Bankën në Maqedoni dhe në sektorin bankar të vendit, por për më tepër, Macurës ia dhanë mundësinë të blejë shoqërinë e sigurimeve ZOIL Maqedonia për rreth 1.7 milionë euro“, deklaroi Kuzeshka.
Ajo kërkoi përgjigje nëse kompania mund të vazhdojë pa pengesa pagesën e dëmeve ndaj qytetarëve që kanë polica sigurimi në këtë shoqëri.
Sipas saj, duhet të sqarohet nëse janë të rrezikuara mbulimet për dëmet nga aksidentet e komunikacionit, sigurimi i automjeteve, pronave, shtëpive dhe banesave, sigurimi i udhëtimit, sigurimi shëndetësor, si dhe dëmet nga lëndimet në vendin e punës.
„Pyetja është e thjeshtë: A mundet shoqëria t’i paguajë pa pengesa dëmet e qytetarëve? Çfarë po ndërmarrin institucionet dhe pse Agjencia për Mbikëqyrje të Sigurimeve hesht?“, pyeti Kuzeshka.
Ajo kërkoi që Agjencia për Mbikëqyrje të Sigurimeve (ASO) të sqarojë nëse, pas ndalimit të Davor Macurës në Serbi dhe pas heqjes së lejes së Alta Bankës, e ka rishqyrtuar pëlqimin për pjesëmarrjen e tij të kualifikuar në shoqërinë e sigurimeve.
Deri më tani, këto janë pretendime dhe pyetje të ngritura nga LSDM-ja, ndërsa kërkohet një qëndrim zyrtar nga institucionet kompetente për sigurinë e policave dhe vazhdimësinë e pagesës së dëmeve.
Flaka















