Maqedonia e Veriut përfundon e para në rajon fazën teknike për heqjen e tarifave të roamingut me BE-në
Maqedonia e Veriut është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që ka përfunduar dialogun teknik me Komisionin Evropian për përfshirjen në sistemin evropian „Roam Like at Home“ (Roaming si në shtëpi), njoftoi ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski.
Duke folur në konferencën „Industria dhe mjedisi jetësor: fitimi nuk është qëllimi i vetëm“, të organizuar nga Oda Ekonomike, Andonovski bëri të ditur se pas shkëmbimit të fundit ndërmjet ekipeve negociuese të Maqedonisë së Veriut dhe Komisionit Evropian janë harmonizuar të gjitha çështjet e hapura lidhur me tekstin e marrëveshjes.
„Me Komisionin Evropian harmonizuam tekstin e marrëveshjes dhe si vendi i parë në rajon përfunduam fazën teknike. Tani jemi një hap më afër që qytetarët ta ndiejnë këtë përfitim gjatë çdo udhëtimi në BE“, deklaroi Andonovski.
Sipas tij, zbatimi i këtij sistemi do t’u mundësojë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që gjatë qëndrimit në vendet anëtare të Bashkimit Evropian të kryejnë telefonata, të dërgojnë mesazhe dhe të përdorin internetin mobil sipas kushteve të tarifave të tyre vendore, pa pagesë shtesë për roaming.
Edhe kryeministri Hristijan Mickoski, në samitin BE–Ballkani Perëndimor, të mbajtur më 25 nëntor në Bruksel, theksoi se Maqedonia e Veriut është vendi i parë në rajon që ka përfunduar pjesën teknike të procesit.
Ai shprehu pritjen që qytetarët së shpejti të mund t’i përdorin shërbimet telefonike dhe internetin mobil në vendet e BE-së me tarifat e tyre vendore, pa kosto shtesë për roaming.
Megjithatë, përfundimi i fazës teknike nuk nënkupton hyrjen e menjëhershme në fuqi të sistemit. Procesi duhet të vijojë me hapat e nevojshëm drejt zbatimit të marrëveshjes.
Flaka















