Mexhiti e quan historike marrëveshjen për jurisprudencën në shqip, Furkan Saliu: Politikanët tanë kurrë nuk arritën në 100%
Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, e ka cilësuar si të arritur historike marrëveshjen për mbajtjen e një pjese të provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke theksuar se kjo është arritur gjatë pjesëmarrjes së VLEN-it në Qeveri. Por, deklaratat e tij kanë nxitur edhe reagime, mes tyre edhe një kritikë publike nga gazetari Furkan Saliu, i cili vë në pikëpyetje qëndrimet e ndryshueshme të politikanëve shqiptarë për statusin e gjuhës shqipe.
Duke folur në emisionin “Verdikt” në TVM 2, Mexhiti tha se para hyrjes së VLEN-it në Qeveri, studentët shqiptarë provimin e jurisprudencës e kanë dhënë në gjuhën maqedonase.
“Ne nuk iu kundërvumë studentëve dhe nuk thamë se kjo e drejtë nuk ka qenë e mundur të realizohet në të kaluarën. Por, në këtë Qeveri, me këta numra, arritëm marrëveshjen që për herë të parë në historinë e këtij shteti të sillet ligj për provimin e jurisprudencës, ashtu siç kërkuan studentët, që provimet t’i kenë në gjuhën shqipe”, deklaroi Mexhiti.
Ai përmendi shtatë provime që, sipas tij, do të mund të zhvillohen në gjuhën shqipe, duke përfshirë të drejtën penale, civile, të punës, kushtetuese dhe administrative.
Megjithatë, Mexhiti pranoi se pjesa praktike e provimit ende nuk mund të zhvillohet në shqip. Këtë kufizim e lidhi me tri fushat që, sipas tij, kanë mbetur të hapura pas shqyrtimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve nga Komisioni i Venecias: gjyqësorin, uniformat dhe monedhat.
Duke komentuar reagimet e BDI-së dhe të kryetarit të Kumanovës, Maksim Dimitrievski, për këtë çështje, Mexhiti u bëri thirrje qytetarëve të analizojnë ngjashmërinë e qëndrimeve të tyre.
“Qytetarët duhet ta analizojnë pse të dyja flasin me një zë”, tha ai.
Ndërkohë, gazetari Furkan Saliu ka reaguar me një koment kritik, duke vënë në pah kontrastin mes qëndrimeve politike ndër vite për Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe kërkesave aktuale për provimin e jurisprudencës.
“20 vjet në BDI. Bashkë me atë BDI, e voton Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Formon parti të re dhe publikisht deklaron se nuk ekziston ligj për gjuhën shqipe, por ligj i 20%. Sot propozon ligj 90%. Dreqi e marrtë, këta politikanët tanë asnjëherë nuk arritën të mbërrijnë në 100%. Gjithë jetën loading…”, ka shkruar Saliu.
Kritika e gazetarit vë në qendër të debatit jo vetëm përmbajtjen e marrëveshjes së fundit, por edhe ndryshimet në diskursin politik shqiptar për gjuhën shqipe, nga pretendimet për zbatimin e plotë të të drejtave gjuhësore deri te zgjidhjet e pjesshme që prezantohen si arritje politike. Gazeta Flaka











