Në shtatë vite – katër raste tragjike që morën 130 jetë njerëzish në Maqedoninë e Veriut
Le t’i quajmë shtatë vite të kobshme për Maqedoninë e Veriut. Janë katër raste tragjike që ndodhën në peridha dhe mënyra të ndyshme që shuan mbi 130 jetë. Ishte viti 2018 që solli lajmin e kobshëm për tragjedinë e Llaskarcës dhe ku humbën jetë 13 persona. Pa kaluar 3 vite, ndodhi tragjedia tjetër në Bullgari ku jetën e humbën 45 shtetas të Maqedonisë së Veriut. Po të njëjtin vit, në tragjedinë e ndodhur në Spitalin e Tetovës, vdiqën 14 persona. Dhe ende pa u mbushur pesë vite, një tragjedi tjetër e madhe ndodhi në Koçan, ku jetën e humbën 59 persona, shkruan Flaka Media
Në të gjithë këto raste tragjike, direkt apo indirekt përgjegjësi mbajnë edhe institucionet e shtetit, të cilat kanë kompetencë për veprimtarinë e institucioneve apo subejkteve ekonomike, në këtë rast Spitalit të Tetovës, Agjencive Turistike dhe një objekti hotelier, diskotekë.
“Historia e dhimbshme që filloi 15 vite më parë me vdekje nga papērgjegjësia dhe mosdhënja e llogarisë … dhe ato pastaj u shumëfishuan në mënyrë makabre, sepse asnjëherë askush nuk dha llogari”, shprehet mjeku strugan Artan Dika, i cili sot kujton rastin tragjik me studenten Dafina Raci që ndodhi me 30 dhjetor të vitit 2010 në Tetovë, respektivisht rrëzimin e kulmit në Spitalin e Tetovës.
“Digjen të gjallë 59 të rinj e të reja në një diskotekë të improvizuar në Koçan, 59 familje humbën më të dashurit e tyre… njësoj si 16 viktimat e Durmo Turs, 45 viktimat e Besa Transit, 14 viktimat e Modularit në Tetovë… dhe kësaj rradhe dhimbja është e madhe. A do të dihet kush është fajtor dhe a do ketë përgjegjësi, varet nëse ndonjëri nga 59 viktimat është djali, vajza, vllai, motra apo shfaleri/shfalerka e ndonjë prokurori a gjykatësi të rëndësishëm në vend. Nëse jo, kablli do del fajtor…Ky shtet nuk meriton të ekzistojë. Ky shtet ka nevojë për 1 milion njerëz të ngriten në këmbë dhe t’i bëjnë shkrumb e hi ata që lejojnë të ndodhin këso gjëra me neglizhencën dhe me mosinteresimin për të dënuar fajtorët e vërtetë të krimeve të këtilla”, thotë aktivisit tetovar, Arianit Xhaferi.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski ka bërë të ditur se nuk do të japë dorëheqje, pasi siç tha, “të gjithë e dinë se Qeveria nuk ka faj”
“Është i nevojshëm demonstrim i përgjegjësisë morale. Shumica e di se Qeveria nuk ka faj në këtë punë”, tha Mickoski.
Në paraqitjen para mediave për tragjedinë në Koçan, Mickoski tha se nuk do të lejojë të fitojë sistemi i korruptuar.
“Mua nuk më duhet pushtet me çdo çmim. Unë këtu jam për të demonstruar shembull personal. Atëherë, do të lejojmë që të fitojë sistemi i korruptuar? Sigurisht se jo”, tha Mickoski.
“Përgjegjësia duhet medoemos të vendoset dhe drejtësia të vihet në vend për çdo jetë të humbur dhe të shkatërruar. Nuk mund dhe nuk duhet të lejojmë që tragjedi të tilla të na përsëriten”, ka shkruar zv.kryeministri Arben Fetai.
“Koçani, Tetova, Besa Trans, Durmo Turs nuk janë thjesht aksidente, ato janë sinonim i korrupsionit që vret në vendin tonë. Tragjeditë që po godasin shoqërinë tonë njëra pas tjetrës kanë një emërues të përbashkët: korrupsionin. Bilanci është i tmerrshëm – 135 jetë të pafajshme të humbura në rrethana mizore. Përgjegjësia duhet medoemos të vendoset dhe drejtësia të vihet në vend për çdo jetë të humbur dhe të shkatërruar. Nuk mund dhe nuk duhet të lejojmë që tragjedi të tilla të na përsëriten. Korrupsioni tashmë është emergjencë nacionale, ai duhet të njihet dhe të shpallet si i tillë!”, ka shkruar Fetai.
Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi ka reaguar në lidhje me rastin e djegies së diskotekës në Koçan, ku vdiqën 59 persona. Durmishi thotë se nuk do të ketë tolerancë dhe se përgjegjësit do të marrin dënimin e merituar.
“Fajtorët kanë emër dhe mbiemër dhe sigurisht personat përgjegjës do të dënohen konform ligjit. E vërteta do të merr dritë dhe nuk do të përsëriten rastet e kaluara ku humbën jetë njerëzish dhe askush nuk dha llogari. Do të bashkëpunojmë ngushtë me prokurorinë që kushdo që ka shkelur ligjin dhe ka vënë interesat personale mbi sigurinë dhe jetën e qytetarëve, të marrë përgjegjësinë dhe dënimin e merituar. Qytetarët meritojnë të dinë të vërtetën dhe përgjegjësit do të mbajnë barrën e veprimeve të tyre. Nuk do të ketë tolerancë për ata që kanë shkelur ligjin. Drejtësia duhet të vihet në vend”, shprehet Durmishi.
Dhe derisa po raportojmë, proceset gjyqësore për këto raste ende nuk kanë epiloge përfundimtare. Në disa raste, proceset janë stërzgjatur me ankesa, rikthim të proceseve gjyqësore dhe zvarritje të tjera. Flaka Media
Në aksidentin tragjik të autobusit të “Durmo Turs” të ndodhur me 13 shkurt të vitit 2018 në Llaskarcë të Shkupit, humbën jetën 16 persona dhe 38 persona të tjerë mbetën të lënduar.
Sakaq, më 23 nëntor 2021 ndodhi një prej tragjedive më të mëdha në të cilën 45 udhëtarë nga Maqedonia e Veriut humbën jetën në aksidentin e autobusit duke u kthyer prej Stambollit. Mrekullisht shpëtuan 7 udhëtarë.
Ndërkohë, zjarri i tmerrshëm që e bëri hi spitalin modular në Tetovë me 8 shtator të vitit 2021, mori me vete 14 jetë të pacientëve të trajtuar nga Covid-19, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht.
Në rastin e fundit të ndodhur në Koçan numri i të vdekurve ka shkuar në 59, derisa janë lënduar 155 persona. Gjithsej 47 persona të lënduar nga zjarri në Koçan do të shtrohen në spitalet jashtë vendit, bëri të ditur sonte ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari. Nesër në ndihmë të vendit arrijnë specialistë nga Izraeli, Beogradi dhe Praga për të ndihmuar punonjësit e kujdesit shëndetësor në vend. Siç deklaroi Taravari, sipas informacioneve që disponon ai, katër deri në pesë persona të lënduar kanë kërkuar ndihmë mjekësore në klinikat private.
















