Policia alarmon për grupin e rrezikshëm „764“: Shënjestron fëmijët përmes rrjeteve sociale dhe lojërave online
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Maqedonisë së Veriut ka lëshuar një apel për prindërit, kujdestarët, mësimdhënësit dhe opinionin publik që të tregojnë kujdes të shtuar ndaj grupit të njohur si „764“, një komunitet i dhunshëm online që shënjestron fëmijët, të miturit dhe personat e tjerë të cenueshëm, me qëllim manipulimin, frikësimin dhe detyrimin e tyre për të kryer veprime të rrezikshme.
Për seriozitetin e këtij fenomeni kanë paralajmëruar edhe institucionet ndërkombëtare të sigurisë, përfshirë Byronë Federale të Hetimeve të SHBA-së (FBI), e cila grupin „764“ e lidh me komunitete më të gjera të ekstremizmit të dhunshëm nihilist dhe grupe të ngjashme.
Si funksionon grupi „764“ dhe si i shënjestron fëmijët?
Sipas MPB-së, anëtarët e këtij grupi veprojnë përmes rrjeteve të ndryshme sociale, aplikacioneve të komunikimit dhe platformave të lojërave online, përfshirë Discord, Telegram, Roblox, Instagram, TikTok, Snapchat, Reddit, X, Minecraft dhe Fortnite.
Kontakti me viktimat potenciale zakonisht fillon duke u paraqitur si bashkëmoshatarë ose persona të interesuar për miqësi dhe lidhje emocionale. Pasi fitojnë besimin e fëmijëve dhe të rinjve, ata fillojnë me manipulime, kërcënime dhe shantazhe.
Qëllimi është t’i detyrojnë viktimat të dërgojnë fotografi dhe video intime, të vetëlëndohen, të ushtrojnë dhunë ndaj personave të tjerë ose kafshëve, madje edhe të ndërmarrin veprime që mund të rrezikojnë jetën e tyre.
Materialet e siguruara më pas përdoren si mjet për frikësim, shantazh dhe kontroll të mëtejshëm mbi viktimat, paralajmëron MPB-ja.
Cilat janë shenjat paralajmëruese te fëmijët?
MPB-ja u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të jenë veçanërisht të vëmendshëm ndaj ndryshimeve të papritura në sjelljen e fëmijëve, si:
- Tërheqja në vetvete, frika, ankthi ose nervozizmi i shtuar.
- Fshehtësia e pazakontë gjatë përdorimit të telefonit ose kompjuterit.
- Komunikimi intensiv me persona të panjohur në rrjetet sociale dhe lojërat online.
- Pranimi i mesazheve kërcënuese, shantazheve ose kërkesave për fotografi dhe video.
- Lëndime, prerje apo gërvishtje të pashpjegueshme, që mund të jenë shenja të vetëlëndimit.
- Shprehje të pashpresësisë ose biseda rreth vdekjes dhe vetëvrasjes.
Nga MPB-ja theksojnë se këto shenja nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht se fëmija është viktimë e një grupi të tillë, por nuk duhet të injorohen. Në rast dyshimi, nevojitet bisedë e hapur me fëmijën dhe reagim në kohë.
Si mund t’i mbrojnë prindërit fëmijët?
Autoritetet rekomandojnë që prindërit të bisedojnë rregullisht me fëmijët për aktivitetet e tyre në internet, të interesohen se me kë komunikojnë dhe çfarë përmbajtjesh ndjekin.
Fëmijët duhet të edukohen për rreziqet e shpërndarjes së të dhënave personale, fjalëkalimeve, fotografive dhe videove intime me persona të panjohur.
Gjithashtu, është e rëndësishme që ata ta dinë se nëse dikush i kërcënon, i shantazhon ose i manipulon, duhet menjëherë të kërkojnë ndihmë nga prindërit, kujdestarët, mësimdhënësit ose institucionet kompetente, transmeton Flaka.
„Ata nuk duhet të ndihen fajtorë ose të kenë frikë të raportojnë, pavarësisht rrethanave“, thekson MPB-ja.
Ku mund të raportohet rasti?
MPB-ja kërkon që çdo informacion, dyshim ose rast i lidhur me grupin „764“ apo grupe të tjera të ngjashme të dhunshme online të raportohet te Sektori për Krim Kompjuterik dhe Forenzikë Digjitale.
Adresa për raportim
cybercrime@moi.gov.mk
Kopjo adresën
Autoritetet këshillojnë që të ruhen mesazhet, emrat e përdoruesve, lidhjet dhe të dhënat e tjera relevante që mund të ndihmojnë në hetim. Prindërit nuk duhet të konfrontohen me personat që kërcënojnë fëmijët dhe as të shkarkojnë apo përcjellin materiale eksplicite ku paraqiten të mitur.
„Mbrojtja e fëmijëve nga abuzimi online është përgjegjësi e përbashkët. Njohja në kohë e rrezikut, biseda e hapur me fëmijët dhe raportimi i aktiviteteve të dyshimta mund të parandalojnë pasoja serioze dhe të shpëtojnë jetë“, thuhet në apelin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Flaka















