Qendra për Kulturë në Gostivar hap dyert për talentet e reja, regjistrimet për vitin 2026/2027 kanë filluar
Fëmijët dhe të rinjtë në Gostivar do të kenë mundësi të zhvillojnë talentet dhe prirjet e tyre artistike përmes programeve të reja kulturore. Qendra për Kulturë në Gostivar ka shpallur të hapura regjistrimet për vitin programor 2026/2027, duke u bërë thirrje të rinjve që të përfshihen në aktivitetet e saj.
Të interesuarit mund të regjistrohen në katër fusha: arti dramatik, arti figurativ, arti muzikor dhe klubi i leximit.
Përmes këtyre programeve, institucioni synon të krijojë hapësirë për shprehjen krijuese, të identifikojë talente të reja dhe t’u mundësojë fëmijëve e të rinjve të fitojnë njohuri dhe shkathtësi në fusha të ndryshme artistike e kulturore.
Nga Qendra për Kulturë theksojnë se talenti mund të fshihet te secili fëmijë dhe se ai ka nevojë për hapësirë dhe mbështetje që të zhvillohet. Për këtë arsye, thirrja u drejtohet jo vetëm nxënësve, por edhe prindërve dhe mësimdhënësve, të cilët inkurajohen t’i motivojnë fëmijët të bëhen pjesë e këtyre aktiviteteve.
Përtej mësimit të teknikave artistike, iniciativa synon të afrojë gjeneratat e reja me kulturën, artin dhe leximin, duke krijuar mundësi që koha e lirë të shndërrohet në një përvojë edukative dhe krijuese. Gostivari Sot











