Reagimet po zgjerohen: Pas studentëve, vjen zë kundërshtues edhe shtresa intelektuale
Pas mobilizimit të studentëve shqiptarë për mbrojtjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës, reagimet ndaj qëndrimeve të eksponentëve të VLEN-it po dalin edhe nga figura intelektuale, akademike dhe apolitike, shkruan Gazeta Flaka
Së fundmi ka reaguar edhe Arta Toçi, e cila akuzoi deputeten e VLEN-it, Imerlije Saliu, për kundërthënie në deklaratat e saj lidhur me debatet e fundit politike dhe reagimet nga Shqipëria.
“Vetëm në një postim të shkurtër në FB, deputetja e VLEN del me dy qëndrime: kërkon nga Shqipëria të mos ndërhyjë në punët e brendshme të Maqedonisë së Veriut dhe i quan studentët shqiptarë të manipuluar nga Shqipëria”, shkroi Toçi.
Ajo ironizoi më tej:
“Merreni me mend çka do kishte thënë kjo nëse do kishte shkruar pak më gjatë!”
Reagim i ashpër erdhi edhe nga intelektualja Lujteta Isaku, vajza e shkrimtarit të njohur Murat Isaku, e cila iu kundërpërgjigj deklaratave të zyrtarit të VLEN-it, Latif Arifi, lidhur me skeçin e emisionit humoristik “Portokalli”.
Arifi kishte akuzuar më herët se skeçi ishte “propagandë politike e maskuar si humor” dhe se përmes tij po denigrohej elita politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Por Isaku reagoi ashpër ndaj këtij interpretimi:
“Portokallia në këtë rast nuk ka fyer shqiptarët. Keni fyer ju, keni denigruar historinë tonë, keni përbaltur dëshmorët dhe keni mbyllur rrugët e ndritura të kombit. Turp për ju!”
Ndërkohë, reagimet kritike ndaj VLEN-it nuk po vijnë vetëm nga studentët dhe figura publike, por edhe nga shtresa intelektuale shqiptare. Vendimi i fundit i koalicionit për të formalizuar drejtimin e përbashkët me dy kryetarë ka nxitur valë ironish dhe komentesh në opinion.
Mes reagimeve më të komentuara ishte ai i intelektuales shqiptare Diana Toska, e cila e cilësoi formulën e re drejtuese si produkt të pazareve politike dhe luftës për poste.
“VLEN-i më në fund u bashkua. Pesë kryetarë u mblodhën me e ndërtu ‘partinë e madhe’, por i gjithë halli ishte: sa prapanica i nxë një karrige”, shkroi Toska.
Ajo ironizoi kompromisin e arritur për lidershipin, duke thënë se për shkak të mosmarrëveshjeve për kryesimin, u shpik “zgjidhja historike” me dy kryetarë për një parti.
“Dhe në këtë luftë egosh, pasi nuk u morën vesh kush me u ul i pari, shpikën ‘zgjidhjen historike’: dy kryetarë për një karrige”, theksoi ajo.
Sipas saj, ironia bëhet edhe më e madhe për faktin se vendimi u shpall pikërisht më 9 Maj – Ditën e Europës.
“Madje këtë farsë e shpallën solemnisht në Ditën e Europës, duke i tregu edhe Europës se deri ku mund të shkojë pazari politik te ne”, u shpreh Toska.
Ajo paralajmëroi se problemet reale për koalicionin ende nuk kanë filluar.
“Tash fillon filmi i vërtetë. Kur të fillojë shtyrja mes dy prapanicave kush me mbet më gjatë në karrige… interesant po duket ky unitet”, ironizoi ajo.
Në reagimin e saj, Toska ngriti pikëpyetje edhe për figurat e lëna jashtë strukturës së re politike dhe për tensionet e mundshme të brendshme.
“Po edhe më interesante do të jetë, çka do të bëjnë disa që janë në pritje, e disa të tjerë të eliminuar… që nuk janë përfshirë në këtë koalicion të prapanicave”, shtoi ajo.
Në fund, ajo e mbylli reagimin me një pyetje ironike që po qarkullon gjerësisht në rrjetet sociale:
“Si urohet një karrige me dy prapanica? ‘U trashëgofshi’… apo ‘mos u rrëzofshi’?”
Deklarata e saj vjen në një moment kur VLEN po përballet me kritika të shumta publike, debate të ashpra politike dhe largime nga strukturat e diasporës, duke e kthyer modelin e ri të drejtimit në një nga temat më të diskutuara në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Ndërkohë, paralelisht me debatet politike, studentët shqiptarë kanë vazhduar organizimin e tyre për çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës.
Pas protestës së mbajtur në Shkup, studentët e universiteteve shqiptare organizuan debat në Kumanovë, ku u diskutua për hapat e ardhshëm dhe koordinimin e protestave.
Organizatori i protestave studentore, Mevlan Ademi, deklaroi se qëllimi është bashkimi i studentëve shqiptarë dhe vazhdimi i kërkesave në mënyrë të koordinuar.
“Bashkimi i studentëve shqiptarë është rëndësia jonë dhe që çdo kërkesë e radhës të jetë e njëzëshme”, deklaroi ai.
Studentja Arlinda Emini theksoi se debati kishte për qëllim informimin dhe mobilizimin e studentëve lidhur me çështjen e jurisprudencës dhe përdorimin e gjuhës shqipe në institucione.
Ndërsa studenti Jon Selimi u shpreh se interesimi dhe pjesëmarrja e studentëve tregojnë se ata ndihen pjesë e kauzës.
Nga takimi u konstatua se protestat do të vazhdojnë derisa kërkesat të pranohen, ndërsa u paralajmërua organizimi i debateve të ngjashme edhe në qytete të tjera të vendit. Gazeta Flaka
















