Rikthehen në skenë: Ganiu e padit Arsovskën për shpifje, ajo pretendon se ka 3.200 faqe prova kundër tij
Ish-kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, ka ngritur padi për shpifje ndaj ish-kryetares së Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Arsovska përmes një postimi në profilin e saj në Facebook, ku pretendon se padia është ngritur për shkak të dëmit të pretenduar emocional, pasi ajo e kishte quajtur Ganiun “kriminel”.
Megjithatë, Arsovska thotë se para se të kërkojë përgjegjësi për deklaratat e saj, Ganiu duhet të japë përgjigje për atë që ajo i cilëson si 150 legalizime të falsifikuara, përfshirë edhe një objekt banesor me vlerë prej pesë milionë eurosh.
Në postimin e saj, ajo ngre pikëpyetje për dokumentacionin e legalizimit të një ndërtese 12-katëshe, për të cilën pretendon se është regjistruar si e ndërtuar në vitin 2010, ndonëse, sipas saj, ka dëshmi se ndërtimi ka nisur në vitin 2025.
Arsovska pretendon se objekti është ndërtuar nga një person që në vitin 2010 ishte 15 vjeç, përmes një kompanie të themeluar në vitin 2020 dhe në një parcelë të blerë në vitin 2021.
“Si është e mundur që këtë ndërtesë, për të cilën kemi dokumentuar se është ndërtuar në vitin 2025, ta ketë legalizuar sikur të ishte ndërtuar në vitin 2010? Visar, nuk ke ti dhimbje shpirtërore pse të kam quajtur kriminel, por ke dhimbje sepse je kapur me 3.200 faqe dëshmi se je kriminel”, ka shkruar Arsovska.
Ajo gjithashtu ka kritikuar Prokurorinë Publike, duke pretenduar se prej vitesh nuk ka ndërmarrë veprime lidhur me këto raste.
Në të njëjtin reagim, ish-kryetarja e Shkupit ka bërë edhe akuza të tjera, duke pretenduar se është kërcënuar, se janë dërguar persona për ta sulmuar fizikisht dhe se familjarët e saj janë maltretuar dhe frikësuar.
“Ju kërcënoni çdo ditë, keni dërguar njerëz të më rrahin, më maltretorni dhe frikësoni tërë familjen, por kjo nuk mund t’i ndryshojë faktet se jeni kriminelë, të mbështetura me dëshmi zyrtare në 3.200 faqe”, ka shkruar Arsovska.
Deri në momentin e publikimit, pretendimet e Arsovskës lidhur me legalizimet dhe akuzat e tjera nuk paraqesin fakte të vërtetuara gjyqësisht. Padia për shpifje dhe pretendimet e palëve mbeten çështje që duhet të trajtohen nga organet kompetente.
Is this conversation helpful so far?
Flaka















