Rreth 100 familje në Gostivar do të marrin inverterë falas, aplikimi pritet në vitin 2027
Rreth 100 familje në Gostivar pritet të përfitojnë kondicionerë inverterë për ngrohje, përmes një skeme subvencionimi që synon zëvendësimin e stufave dhe koftorëve me dru me sisteme më ekologjike të ngrohjes.
Bëhet fjalë për një projekt për përmirësimin e cilësisë së ajrit ambiental, i financuar nga Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe i realizuar në bashkëpunim mes Ministrisë së Energjetikës, Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe pesë komunave pjesëmarrëse.
Përveç Gostivarit, në këtë skemë janë përfshirë edhe Kumanova, Kavadari, Struga dhe Strumica. Në secilën prej tyre parashihet të mbështeten nga 100 familje, respektivisht rreth 500 familje në nivel të përgjithshëm.
Sipas Zudi Xhelilit, udhëheqës i Sektorit për Mjedis Jetësor në Komunën e Gostivarit, përparësi do t’u jepet familjeve me gjendje të rënduar ekonomike, të cilat nuk kanë mundësi financiare të sigurojnë vetë pajisje për ngrohje ekologjike.
„Pikërisht këtë kategori të qytetarëve, të cilët nuk kanë buxhet për ta përballuar blerjen e inverterëve, do të mundohemi ta mbështesim me pajisje për ngrohje, në mënyrë që njëkohësisht t’u mundësojmë ngrohje më ekologjike dhe të kontribuojmë për ajër më të pastër në komunën tonë“, ka deklaruar Xhelili, transmeton TV Globi – Gostivar.
Ndërkohë, kriteret për përzgjedhjen e përfituesve ende janë në fazën e hartimit dhe shqyrtimit. Ministria e Energjetikës, në bashkëpunim me ekspertë dhe përfaqësues të komunave, do të përcaktojë metodologjinë, duke u mbështetur në kriteret kombëtare për identifikimin e varfërisë energjetike.
Sa i përket afateve, aplikimi për subvencionet pritet të hapet gjatë muajve shkurt ose mars të vitit 2027. Pas përfundimit të aplikimeve do të bëhet përzgjedhja e familjeve përfituese, ndërsa më pas do të realizohet furnizimi dhe instalimi i kondicionerëve.
Përmes kësaj mase synohet të arrihen dy objektiva: lehtësimi i shpenzimeve për ngrohje për familjet ekonomikisht të cenueshme dhe reduktimi i ndotjes së ajrit, veçanërisht i grimcave të dëmshme PM, që krijohen nga djegia e drurit për ngrohje.
Pra, familjet e interesuara duhet të kenë parasysh se subvencionimi nuk ka filluar ende dhe aplikimi pritet në fillim të vitit 2027. TV Globi – Gostivar











