Tetë dekada studime historike në Shkup, Janevska kërkon hulumtime të bazuara në fakte
Instituti i Historisë pranë Fakultetit Filozofik të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup shënon 80-vjetorin e themelimit me një konferencë shkencore ndërkombëtare me temën “Nga rrëfimet kombëtare drejt historive të ndërthurura”.
Në këtë jubile mori pjesë edhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, e cila vlerësoi kontributin e institutit në zhvillimin e historiografisë, përgatitjen e kuadrove akademike dhe përcjelljen e njohurive historike te brezat e rinj.
Në fjalimin e saj, Janevska u ndal veçanërisht te përgjegjësia e historianëve në një kohë kur informacionet përhapen me shpejtësi, ndërsa interpretimet e së kaluarës shpesh bëhen objekt debatesh dhe përplasjesh.
“Sot, në një kohë të qarkullimit të shpejtë të informacioneve, të interpretimeve të ndryshme të ngjarjeve historike dhe të përpjekjeve gjithnjë e më të shpeshta për relativizimin e fakteve historike, roli i historianëve është veçanërisht i rëndësishëm”, deklaroi ministrja.
Ajo theksoi se hulumtimet e argumentuara, objektiviteti shkencor dhe qasja kritike duhet të jenë baza e studimit të historisë, në mënyrë që faktet të dallohen nga interpretimet dhe të shmanget relativizimi i së kaluarës.
Janevska siguroi se Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të vazhdojë të mbështesë arsimin e lartë dhe veprimtarinë kërkimore-shkencore, duke përfshirë krijimin e kushteve më të mira për studiuesit dhe nxitjen e gjeneratave të reja akademike.
Me rastin e 80-vjetorit, ministrja shprehu bindjen se Instituti i Historisë do të vazhdojë të jetë një qendër e rëndësishme e dijes dhe kërkimit shkencor, me kontribut në zhvillimin e historiografisë maqedonase dhe afirmimin e saj ndërkombëtar.
Konferenca ndërkombëtare, me temën “Nga rrëfimet kombëtare drejt historive të ndërthurura”, e vendos jubileun e institutit në një kontekst më të gjerë akademik, duke hapur hapësirë për diskutim mbi mënyrën se si studiohet, interpretohet dhe dokumentohet historia.
Flaka















