UT organizoi Akademi përkujtimore për të nderuar jetën dhe veprën e Prof. Dr. Asllan Bilallit

Flaka
Botuar nga Flaka 24 Prill, 2025 23:38

UT organizoi Akademi përkujtimore për të nderuar jetën dhe veprën e Prof. Dr. Asllan Bilallit

Fakulteti Juridik i Universitetit të Tetovës, sot organizoi Akademi përkujtimore në nderim të jetës dhe veprës së Prof. Dr. Asllan Bilallit.

Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Safet Emruli tha se profesor Bilalli ishte një jurist, me një karrierë të gjatë në fushën e së drejtës ndërkombëtare private dhe së drejtës romake. “Ai ka kontribuar ndjeshëm në zhvillimin e arsimit juridik në rajon dhe ka qenë i angazhuar në institucione të rëndësishme akademike dhe gjyqësore. Për më shumë se 40 vjet, ai i qëndroi besnik fjalës, ligjit dhe Universitetit, duke formësuar mendimin juridik në Kosovë dhe në Maqedoni me përkushtim, integritet dhe dinjitet. Ligjëratat e tij nuk ishin vetëm mësime teorike, por udhërrëfyes për jetën dhe profesionin. Ai na mësoi se drejtësia nuk është vetëm një koncept, por një angazhim i përditshëm për të ndërtuar një shoqëri më të mirë.” – tha dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Safet Emruli.
Biografinë e profesor Asllan Bilallit e paraqiti profesori i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Arbër Ademi. Ai e quajti profesor Asllan Bilallin figurë emblematike dhe të rëndësishme të botës akademike shqiptare, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Maqedoninë e Veriut, i cilii dha kontribut të çmuar në zhvillimin e arsimit, në themelimin e universiteteve dhe në formësimin e mendimit juridik shqiptar.

Në emër të familjes së të ndjerit, foli i biri i tij, Bilall Bilalli, i cili e falënderoi Universitetin e Tetovës, duke theksuar se babai i tij ia ka kushtuar jetën këtij universiteti dhe arsimit.

Në këtë Akademi përkujtimore, të pranishëm ishin profesorë, kolegë, ish-studentë, përfaqësues të institucioneve, familjarë dhe miq të cilët erdhën për të kujtuar kontributin e jashtëzakonshëm të Prof. Dr. Asllan Bilallit në fushën e drejtësisë dhe të arsimit.

Flaka
Botuar nga Flaka 24 Prill, 2025 23:38
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media