VLEN akuzon Ali Ahmetin për qëndrimin ndaj Serbisë dhe nostalgjinë për “Ballkanin e Hapur”
VLEN ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, lidhur me bashkëpunimin rajonal dhe rolin e Serbisë në ndërtimin e paqes në rajon.
Në reagimin e saj, VLEN e akuzon Ahmetin se po përpiqet të rehabilitojë Serbinë, duke rikujtuar se Beogradi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, nuk ka kërkuar falje për gjenocidin e vitit 1999 dhe, sipas VLEN-it, vazhdon të mbështesë sulme terroriste, përfshirë atë në Banjskë.
„Me të njëjtën Serbi që vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, të cilën ne e shohim si parakusht për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy popujve”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Sa i përket orientimit të saj rajonal, VLEN thekson se Qeveria synon forcimin e lidhjeve me Shqipërinë dhe Kosovën përmes Korridorit 8, autostradës Shkup–Bllacë, rrugës Tetovë–Prizren dhe sistemit „One Stop Shop” në vendkalimet kufitare.
Në fund të reagimit, VLEN kritikon nostalgjinë për nismën „Ballkani i Hapur”, duke pretenduar se çështja kombëtare nuk duhet të shndërrohet në mjet për interesa të ngushta grupore apo familjare.
Partia e lidh gjithashtu këtë kritikë me çështjen e Alta Bankës, duke iu referuar me akuza personave që, sipas saj, janë të përfshirë në transaksione të dyshimta. Këto pretendime janë pjesë e reagimit politik të VLEN-it.
Flaka















