Zhegrova largohet nga Lille – Serie A destinacioni i radhës
Edon Zhegrova do të largohet nga Lille gjatë kësaj vere, duke mbyllur kështu një kapitull të rëndësishëm në karrierën e tij. Pavarësisht se ka ende kontratë me klubin francez, lojtari ka vendosur të kërkojë një sfidë të re dhe tregu italian është destinacioni më i mundshëm.
Napoli ka qenë skuadra e parë që ka shfaqur interes për përfaqësuesin e Kosovës, por tashmë në garë janë futur edhe Milani dhe Atalanta. Sipas mediave franceze, Lille kërkon deri në 30 milionë euro për kartonin e tij, dhe nuk përjashtohet një transferim i shpejtë në Serie A.
Klubi francez ka filluar menjëherë përgatitjet për largimin e Zhegrovës dhe ka identifikuar pasuesin e tij: Marius Sivertsen Broholm, mesfushori ofensiv i Rosenborgut, shihet si profili i duhur për të mbushur boshllëkun që do të lërë kosovari.
Zhegrova nuk ka luajtur asnjë ndeshje në vitin 2025 për shkak të një lëndimi të pazakontë që e pësoi në fund të vitit të kaluar. Megjithatë, statistikat e tij mbresëlënëse në pjesën e parë të sezonit – me 21 ndeshje, 8 gola dhe 2 asistime – mbeten dëshmi e potencialit të tij të madh.
26-vjeçari është i vendosur që të kthehet fuqishëm në sezonin 2025/26 dhe të jetë protagonist kudo që do të transferohet. Ai mori pjesë së fundmi në ndeshjen e yjeve në Kosovë, duke treguar se është në rrugën e rikuperimit të plotë.
Flaka
















