Zjarrfikësit e Shkupit dje kanë pasur një ditë të ngarkuar – zjarr në disa shtylla elektrike në Haraçinë
Zjarrfikësit e Shkupit dje kanë pasur një ditë të ngarkuar, duke ndërhyrë në dy raste zjarresh në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Përveç zjarrit që përfshiu një veturë në parkingun nëntokësor të qendrës tregtare „KAM Mall“, në komunën e Gjorçe Petrovit, zjarr ka pasur edhe në Haraçinë të Shkupit, ku janë përfshirë nga flakët shtylla të rrjetit elektrik.
Rastin në Haraçinë e ka konfirmuar komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit, Zvonko Tomevski. Sipas tij, zjarrfikësit kanë pritur në terren ekipet e EVN-së për të ndërprerë energjinë elektrike në atë pjesë të rrjetit, në mënyrë që të mund të fillonin intervenimin për shuarjen e zjarrit.
Në vendngjarje është dërguar një automjet zjarrfikës me tre zjarrfikës.
Ndërkaq, nga Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK) njoftojnë se zjarri që shpërtheu dje në parkingun nëntokësor të qendrës tregtare KAM Mall, në lagjen Gjorçe Petrov të Shkupit, ishte shkaktuar nga një veturë që ishte përfshirë nga flakët.
Pas shpërthimit të zjarrit, vizitorët janë evakuuar nga qendra tregtare, ndërsa në vendngjarje kanë ndërhyrë ekipet e zjarrfikësve dhe policisë.
Deri më tani nuk ka informacione për shkaqet që çuan në përfshirjen e veturës nga flakët, as për persona eventualisht të lënduar.
Flaka















