Zyrtare: Mirlind Daku te Zeniti – kontratë 4 vjeçare dhe rrogë rekord
Dita zero për Mirlind Dakun ka mbërritur. Sulmuesi i kombëtares shqiptare ka mbërritur në Shën Peterburg këtë të hënë, për t’u prezantuar si përforcimi më i ri i gjigantëve rusë të Zenitit.
Daku është fotografuar në aeroportin e qytetit, në shoqërinë e Bernard Berishës, ish-futbollist i përfaqësueses dhe i Skënderbeut, i cili ka përvojë në Premier Ligën ruse me Ahmat Groznin. Vetë Daku vjen nga një aventurë dyvjeçare shumë të suksesshme me Rubinin e Kazanit.
Zeniti, 11 herë kampion i Rusisë dhe ish-kampion i Bashkimit Sovjetik, e ka siguruar shërbimin e tij me një kontratë 4-vjeçare dhe një nga pagat më të larta në kampionat. Daku do të përfitojë deri në 3.5 milionë euro në sezon, që është rroga e dytë më e lartë në elitën e futbollit rus.
Sa i përket marrëveshjes mes klubeve, Zeniti do të paguajë 8.5 milionë euro fillimisht, me transferimin që mund të arrijë në 10 milionë euro në total me bonuse të përfshira.
Në dy sezone me Rubinin, Daku shënoi 25 gola dhe asistoi 12 herë në 53 ndeshje, duke u shpallur jo vetëm lojtari më i mirë i skuadrës së tij, por edhe një ndër më të mirët në kampionatin rus për kontributin në finalizim.
Transferimi i Dakut është një sinjal i qartë se Zeniti kërkon rikthimin në majën e futbollit rus, pasi sezonin e fundit humbi titullin për vetëm një pikë nga Krasnodari.
Flaka
















