Përplasje mes Arsovskës dhe Elmazit: Akuzat për ndërtime pa leje ndezin debatin

Flaka
Botuar nga Flaka 5 Qershor, 2025 20:40

Përplasje  mes Arsovskës dhe  Elmazit: Akuzat për ndërtime pa leje ndezin debatin

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, dhe përfaqësuesi i koalicionit VLEN, Muhamed Elmazi, sërish janë përfshirë në një përplasje të ashpër publike lidhur me ndërtimet pa leje në Komunën e Sarajit, duke shkëmbyer akuza të ndërsjella që kanë nxitur reagime të shumta në opinionin publik.

Elmazi: “Pse hesht Danella për objektin në Saraj?”

Përfaqësuesi i VLEN-it, Muhamed Elmazi, akuzoi kryetaren e Shkupit për heshtje të qëllimshme përballë një rasti të ndërtimeve pa leje në Komunën e Sarajit, duke ngritur dyshime për lidhje të mundshme të saj me kryetarin e kësaj komune, Blerim Bexheti.

“Kanë kaluar 24 orë dhe përsëri nuk shohim askund Danellën që të përgjigjet për ndërtesën në Saraj. A është ky objekt i mikut dhe partnerit tënd të biznesit, Blerim Bexheti? A ke pjesë në ‘perandorinë’ e tij apo thjesht të paguan për të mbajtur konferenca për media?”, shkruan Elmazi në një status publik.

Ai gjithashtu e akuzon Arsovskën për dështim në menaxhimin e qytetit, duke përmendur gjendjen alarmante të ndotjes, sidomos në prag të festës së Bajramit.

“Shkupi po ngulfatet në bërllog si asnjëherë më parë”, shkruan ai, duke paralajmëruar se së shpejti do të kërkojë edhe hetim të plotë për këtë rast para Prokurorisë Publike.

Arsovska reagon ashpër: “S’keni kuptuar as leximin e ligjit”

Kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska, iu përgjigj menjëherë me tone të ashpra dhe personalisht të drejtuara ndaj Elmazit, duke e quajtur atë “kërcënues” dhe “i paarsimuar”.

“Do ta shpjegoj edhe një herë, por leximi mësohet deri në klasë të katërt. Nëse nuk ke kuptuar herën e parë, për fat të keq nuk do ta kuptosh kurrë!”, shkroi Arsovska në profilin e saj në rrjete sociale.

Ajo theksoi se Qyteti i Shkupit nuk ka kompetenca për të ndërhyrë në rastet e ndërtimeve pa leje në Saraj, pasi kjo komunë është përfshirë në planin urbanistik vetëm pas vitit 2011.

“Kërkesa për ndërhyrje në Saraj është e njëjtë sikur të kërkosh të shkoj në Bitola apo Tetovë – thjesht nuk kemi kompetencë atje”, deklaroi ajo.

Arsovska gjithashtu hodhi akuza të drejtpërdrejta ndaj Elmazit, duke pretenduar se ai vetë jeton në një ndërtesë pa leje dhe është përfshirë në struktura të lidhura me ish-pushtetin.

“Ti jeton në një banesë pa leje në Çair, në mënyrë gratis. Disa nga ekipet tuaja tashmë kanë ikur në Kosovë. Po bëheni komitë dhe po shihni kah VMR0, vetëm për t’i ikur drejtësisë”, shkruan ajo.

Tensionet politike thellohen

Ky përplasje vjen në një kohë të ndjeshme pas formimit të qeverisë së re, ku koalicioni VLEN është pjesë e shumicës parlamentare. Akuza për ndërtime pa leje dhe lidhje të dyshimta ndërmjet pushtetit vendor dhe lokal kanë ngritur shqetësime për krim të organizuar dhe ndikim politik në urbanizëm.

Përplasja mes Arsovskës dhe Elmazit pritet të intensifikohet, ndërkohë që opozita dhe mediat kërkojnë hetim të pavarur për rastet e ngritura.

Redaksia Flaka do të ndjekë zhvillimet e mëtejshme dhe do të informojë publikun për çdo reagim zyrtar apo veprim hetimor në këtë çështje. Flaka Media

Flaka
Botuar nga Flaka 5 Qershor, 2025 20:40
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media