Gjesti në paraburgim një muaj, dyshohet për kanosje, dëmtim dhe armëmbajtje pa leje
Këngëtari Besart Kelmendi, i njohur si Gjesti, është dërguar në paraburgim për një muaj nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pas një incidenti të ndodhur më 11 mars 2026 në ambientet e studios “Onima” në Veternik të Prishtinës.
Ai dyshohet për veprat penale kanosje, dëmtim të pasurisë dhe mbajtje pa leje të armës. Sipas dokumenteve të gjykatës, gjatë arrestimit tek i pandehuri është sekuestruar një armë e tipit Radikal RP-X9, kalibër 9 mm, si dhe një karikator me 14 fishekë të kalibrit 9×19 mm.
Në deklarimet e dëshmitarëve, Kelmendi kishte hyrë në objekt duke kërkuar drejtorin e kompanisë dhe kërcënuar se do të dëmtonte pajisjet nëse ai nuk paraqitej. Ai kishte thyer disa kompjutera dhe xhama, kishte shkelmuar një pajisje, dhe mbante armën në dorë për një kohë të shkurtër. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi një borxh paraprak.
Para gjykatës, Kelmendi ka deklaruar se veprimet i ka kryer në gjendje emocionale, duke kërkuar falje për rastin. Mbrojtja ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për paraburgim, duke argumentuar se nuk ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale dhe se masa e paraburgimit nuk është proporcionale.
Megjithatë, gjykata ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se Kelmendi ka kryer veprat penale, si dhe rreziku i ikjes, ndikimit te dëshmitarët dhe përsëritjes së veprës, dhe për këtë ka vendosur paraburgim për një muaj, nga 11 marsi deri më 9 prill 2026.
Flaka
















