Ali Ahmeti takon në Zvicër profesionistë dhe biznesmenë shqiptarë, diskuton për investimet në vendlindje
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka zhvilluar sot në Zvicër një takim me ekspertë, profesionistë, biznesmenë dhe bashkatdhetarë shqiptarë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ahmeti ka shprehur kënaqësinë për takimin dhe për mundësinë që të njihet më nga afër me arritjet e bashkatdhetarëve dhe kontributin e tyre në fusha të ndryshme.
„Me kënaqësi takova sot në Zvicër ekspertë, profesionistë, biznesmenë dhe bashkatdhetarë tanë”, ka shkruar Ahmeti.
Ai ka theksuar se gjatë bashkëbisedimit është diskutuar për kontributin e mërgatës në promovimin e vlerave kombëtare, si dhe në arsim, shkencë, ekonomi dhe biznes.
„Bashkëbiseduam për rëndësinë e rrjetëzimit të profesionistëve shqiptarë, transferimin e dijes, përvojës dhe ekspertizës, si dhe mundësitë e investimit në vendlindje”, thuhet në postimin e tij.
Ahmeti e ka cilësuar mërgatën si një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e vendit, duke vlerësuar rolin e saj në jetën ekonomike dhe shoqërore.
„Mërgata jonë është një pasuri e çmuar kombëtare dhe një potencial i jashtëzakonshëm për zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendit tonë”, ka përfunduar Ahmeti, duke shprehur krenarinë për arritjet e bashkatdhetarëve shqiptarë.
Flaka















