Dosja sekrete e Deutsche Bank: 15 milionë dokumente zbulojnë lidhje me oligarkë, politikanë dhe kriminelë
Mbi 15 milionë dokumente konfidenciale dhe email-e të Deutsche Bank, të siguruara nga sinjalizues dhe të ndara me gazetarë të më shumë se 50 mediave, zbulojnë marrëdhënie të dyshimta biznesi të një prej institucioneve më të mëdha financiare në Gjermani me oligarkë, politikanë, persona të dënuar për krime dhe tregtarë armësh.
Sipas një hulumtimi të publikuar nga revista gjermane “Der Spiegel”, dokumentet tregojnë se banka ka vazhduar për vite me radhë marrëdhëniet me klientë të lidhur me aktivitete kriminale, pavarësisht paralajmërimeve të brendshme për rreziqet e pastrimit të parave dhe dëmtimit të reputacionit të saj.
Në hulumtim kanë marrë pjesë gazetarë nga “Der Spiegel”, televizioni ZDF, “The New York Times”, “Financial Times” dhe dhjetëra media të tjera. Në dokumente përmenden emra të njohur, përfshirë presidentin amerikan Donald Trump, financierin e dënuar për krime seksuale Jeffrey Epstein, oligarkë rusë, politikanin gjerman Friedrich Merz dhe biznesmenin Matthias Döpfner. Dokumentet përfshijnë edhe marrëdhënie biznesi me kompani të mëdha si Aldi, BMW, Rheinmetall dhe Springer.
Materialet përfshijnë email-e të drejtuesve, prezantime për bordin drejtues dhe raporte të brendshme nga departamentet që merreshin me transaksione problematike, klientë me rrezik të lartë dhe luftën kundër krimit financiar.
Marrëdhëniet me Epstein, Trumpin dhe oligarkët rusë
Sipas dokumenteve, banka kishte shqyrtuar mundësinë e tërheqjes së Donald Trumpit si klient, ndërsa një rast tjetër përshkruan përpjekjet për të mbuluar një gabim që kishte bërë që deklaratat e tij tatimore të dërgoheshin në adresë të gabuar.
Dokumentet përshkruajnë gjithashtu mënyrën se si Jeffrey Epstein u bë klient i bankës dhe si u tentua të tërhiqeshin oligarkë rusë si klientë. Hulumtimi evidenton edhe transaksione të dyshimta përmes kompanive fiktive të regjistruara në Ishujt e Virgjër, Belize dhe Qipro.
Një pjesë e materialeve trajton edhe marrëdhëniet financiare me trashëgimtarët e pasurisë së rrjetit të supermarketeve Aldi, të cilët, sipas dokumenteve, kanë përdorur skema që u mundësonin shmangien e pothuajse të gjitha taksave për transaksione me vlerë miliona dollarë.
Kreditë për bankat ruse para pushtimit të Ukrainës
Një pjesë e rëndësishme e dokumenteve lidhet me aktivitetin e Deutsche Bank në Rusi. Në fund të vitit 2021, banka hapi një seli të re në Moskë, ndërsa vetëm disa javë para pushtimit rus të Ukrainës kishte dhënë kredi afatshkurtra me vlerë miliona dollarë për bankën ruse Sberbank.
Banka kishte bashkëpunuar edhe me kompani si Gazprom dhe Aeroflot, kishte tregtuar letra me vlerë ruse dhe kishte përpunuar pagesa për institucione financiare ruse.
Ndër klientët e saj përmenden oligarkët Roman Abramovich, Alexei Mordashov dhe Alisher Usmanov, ky i fundit duke mohuar lidhje të afërta me Kremlinin.
Një hetim i brendshëm i vitit 2020 kishte evidentuar rreziqet e këtyre marrëdhënieve. Në një prezantim prej 84 faqesh, punonjësit kishin identifikuar probleme serioze në aktivitetin bankar në Rusi, përfshirë banka partnere që dyshohej se përdoreshin për transferimin e parave drejt bashkëpunëtorëve të presidentit rus Vladimir Putin.
Përgjigjja e Deutsche Bank
Në përgjigje të pyetjeve të “Der Spiegel” dhe mediave partnere, Deutsche Bank deklaroi se shumë prej rasteve të përshkruara në dokumente ishin trajtuar më parë me autoritetet rregullatore.
Banka theksoi se nën drejtimin e Christian Sewing ka kaluar një “transformim themelor” dhe se sot është një institucion ndryshe nga ai i së kaluarës.
Megjithatë, dokumentet e publikuara ngrenë pikëpyetje mbi mënyrën se si banka ka menaxhuar për vite me radhë klientët me rrezik të lartë, transaksionet ndërkombëtare dhe paralajmërimet e brendshme për aktivitete të mundshme të paligjshme.
Hulumtimi nxjerr në pah edhe kontrastin mes angazhimeve publike të bankës për mbrojtjen e mjedisit dhe financimit të kompanive të mëdha ndotëse, si dhe vazhdimin e administrimit të llogarive për donacione të partisë gjermane Alternativa për Gjermaninë (AfD), pavarësisht qëndrimeve publike kritike të drejtorit ekzekutiv ndaj kësaj partie.
Flaka














