Shteti pa zgjidhje për lopët në Kriva Pallankë, komuna kërkon ndihmë nga ambasadat e huaja
Komuna e Kriva Pallankës ka kërkuar mbështetje diplomatike nga ambasadat e huaja në Maqedoninë e Veriut për zgjidhjen e problemit me më shumë se 1.000 krerë bagëti të imëta dhe të trasha që lëvizin pa kontroll në territorin e saj.
Përmes një shkrese zyrtare drejtuar të gjitha ambasadave dhe ambasadorëve të akredituar në vend, komuna kërkon që çështja të ngrihet në bisedimet me Qeverinë dhe institucionet kompetente, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.
Autoritetet lokale kërkojnë që ambasadorët të ndihmojnë në hapjen e një dialogu të drejtpërdrejtë ndërmjet Qeverisë, agjencive përgjegjëse dhe komunës, si dhe të kërkojnë përcaktimin e masave konkrete, përgjegjësive institucionale dhe afateve për zbatimin e tyre.
Sipas komunës, bagëtitë e pakontrolluara lëvizin nëpër rrugë dhe hapësira publike, duke rrezikuar sigurinë e këmbësorëve dhe shoferëve, si dhe duke shkaktuar dëme në kulturat bujqësore.
Situata është bërë edhe më shqetësuese pasi bagëtitë kanë hyrë edhe në oborrin e shkollës së mesme komunale, duke rrezikuar sigurinë e nxënësve.
Komuna thekson se është e gatshme të vërë në dispozicion evidencën e dëmeve të raportuara dhe të ofrojë mbështetje lokale për zbatimin e masave të dakorduara.
Megjithatë, fakti që një komunë kërkon ndërhyrjen diplomatike të ambasadave të huaja për një problem që duhet të zgjidhet nga institucionet vendore, ngre pikëpyetje serioze për kapacitetin dhe reagimin e institucioneve shtetërore.
Banorët e Kriva Pallankës presin përgjigje konkrete: kur do të ndërhyjnë institucionet dhe kush do të marrë përgjegjësi për zgjidhjen përfundimtare të problemit?
Flaka














