Sela dhe Thaçi urojnë 22 Nëntorin: Gjuha shqipe, themel i identitetit dhe krenarisë kombëtare
Me rastin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, kryetari i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, dhe kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi, kanë përcjellë mesazhe urimi, duke vënë në pah rëndësinë historike të Kongresit të Manastirit dhe ruajtjen e gjuhës shqipe.
Ziadin Sela, në urimin e tij, e ka cilësuar këtë datë si një nga ditët më të lavdishme të historisë kombëtare shqiptare, duke kujtuar kontributin e rilindasve në unifikimin e alfabetit.
„Lavdi rilindasve që më 1908 në Manastirin tonë të shtrenjtë shkrinë dallimet e kohës dhe thurën alfabetin më të bukur e më unik“, ka shkruar Sela.
Ai ka theksuar se gjuha është themeli i identitetit shqiptar, duke bërë thirrje për ruajtjen, pasurimin dhe përcjelljen e saj te gjeneratat e ardhshme.
„Le ta ruajmë, ta pasurojmë dhe t’ua lëmë trashëgim gjeneratave të ardhshme më të fortë se kurrë“, thuhet në mesazhin e Selës.
Edhe kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, ka përcjellë një mesazh urimi, duke e cilësuar 22 Nëntorin si simbol të unitetit, identitetit dhe përkushtimit për zhvillimin e gjuhës shqipe.
Në mesazhin e tij, Thaçi ka vënë theksin edhe te rëndësia e kësaj date për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht në aspektin e afirmimit institucional.
„Për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, 22 Nëntori është një simbol i gjuhës, identitetit dhe krenarisë kombëtare, por edhe i përpjekjeve për afirmimin e tyre institucional“, thekson Thaçi.
Ai ka rikujtuar se në vitin 2007, gjatë qeverisjes së PDSH-së, 22 Nëntori u bë festë zyrtare për shqiptarët në vend, duke e cilësuar këtë si një moment të rëndësishëm në njohjen dhe afirmimin e vlerave kombëtare.
Të dy liderët, përmes mesazheve të tyre, kanë vënë në pah rëndësinë e trashëgimisë së Kongresit të Manastirit dhe përgjegjësinë për ruajtjen e gjuhës shqipe ndër breza.
Flaka















