Dy shtetas të huaj në telashe në Maqedoninë e Veriut: Rusja ndalohet në Tabanoc, serbi lëndohet rëndë gjatë alpinizmit
Dy shtetas të huaj janë përfshirë në ngjarje të ndryshme më 21 nëntor në Maqedoninë e Veriut. Një shtetase ruse është ndaluar në vendkalimin kufitar Tabanoc për qëndrim të paligjshëm, ndërsa një shtetas serb ka pësuar lëndime të rënda gjatë një aktiviteti alpin në afërsi të Demir Kapisë.
Shtetasja ruse ndalohet në Tabanoc
Më 21 nëntor, rreth orës 22:35, në vendkalimin kufitar Tabanoc, në dalje nga shteti, nëpunësit policorë kanë ndaluar Z.M. (32) nga Rusia, për shkak të qëndrimit të paligjshëm dhe të paregjistruar në vend.
Ajo i është dorëzuar nëpunësve policorë të SPB Kumanovë për procedurë të mëtejshme.
Alpinisti serb bie nga shkëmbi, shpëtohet nga „Ujqërit“
Një incident serioz është regjistruar edhe në rajonin e tuneleve të vjetra pranë Demir Kapisë, ku një 61-vjeçar nga Serbia ka rënë nga një shteg alpinizmi gjatë ngjitjes në shkëmbinj.
Ngjarja është raportuar në NJPB Negotinë më 21 nëntor, në orën 13:35.
Sipas njoftimit policor, S.Sh. ishte pjesë e një grupi prej shtatë alpinistësh nga Serbia, të udhëhequr nga një instruktor kryesor i shoqatës sportive alpine „Stena“ nga Beogradi.
Gjatë ngjitjes, instruktori kishte vërejtur se shkëmbinjtë ishin të thyeshëm dhe të rrëshqitshëm. Në një moment, një pjesë e shkëmbit është shkëputur, duke bërë që 61-vjeçari të bjerë nga lartësia.
Megjithatë, personi që siguronte litarin, A.T., ka arritur ta mbajë atë të varur në një lartësi prej rreth 15 metrash mbi tokë.
Në ndihmë kanë dalë pjesëtarët e njësisë speciale të Armatës së Maqedonisë së Veriut „Ujqërit“, të cilët ndodheshin në afërsi duke zhvilluar një ushtrim alpin. Ata i kanë dhënë ndihmën e parë dhe e kanë nxjerrë alpinistin në një vend të sigurt dhe të qasshëm.
Më pas, ai është marrë nga ekipet e Ndihmës së Shpejtë Mjekësore të Negotinës dhe është dërguar për trajtim. Në Spitalin e Përgjithshëm në Veles i janë konstatuar lëndime të rënda trupore.
Ekipi i NJPB Negotinë ka kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes.
Flaka















