Pesë raste policore në Shkup: Sulm ndaj të miturit, grabitje dhe përleshje në aeroport
Pesë raste të ndryshme policore janë regjistruar më 21 nëntor në Shkup, duke përfshirë sulme fizike, marrje parash, përleshje në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit dhe një rast të tentim-grabitjes me thikë skalper.
Sipas njoftimit të SPB Shkup, një rast është denoncuar nga një 51-vjeçar, i cili ka raportuar se rreth orës 13:30, në Parkun e Qytetit, djali i tij i mitur ishte sulmuar fizikisht nga një i mitur tjetër, të cilin e njihte. Gjatë sulmit ishte përdorur edhe një send i fortë, ndërsa sulmuesi i kishte dëmtuar biçikletën dhe i kishte shkaktuar të miturit lëndim të rëndë trupor. Policia po ndërmerr masa për zbardhjen e rastit.
Një tjetër incident është raportuar në zonën e Bit Pazarit. Një 50-vjeçar nga Shkupi ka denoncuar se rreth orës 20:15 ishte sulmuar fizikisht nga një person të cilin e njihte, i cili më pas i kishte marrë para.
Ndërkohë, një 20-vjeçar ka raportuar se në zonën e Qendrës ishte sulmuar fizikisht nga tre persona, njëri prej të cilëve ishte i njohur për të. Edhe në këtë rast policia po ndërmerr masa për zbardhjen e rrethanave.
Përleshje mes pesë personave në aeroport
Rendi dhe qetësia publike janë prishur edhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, ku më 21 nëntor, rreth orës 14:40, është regjistruar një përleshje fizike mes pesë personave.
Sipas policisë, në incident janë përfshirë tre persona nga Shkupi, të moshës 56, 37 dhe 33 vjeç, në njërën anë, dhe dy persona nga fshati Qojli, të moshës 55 dhe 30 vjeç, në anën tjetër.
Pas dokumentimit të plotë të rastit, policia ka paralajmëruar parashtresë përkatëse.
Tentim-grabitje me thikë skalper
Në një rast tjetër, policia ka zhvilluar bisedë zyrtare me një 24-vjeçare nga Shkupi, pas denoncimit se më 15 tetor kishte tentuar t’i merrte para një 18-vjeçari, duke e kërcënuar me një mjet të mprehtë – thikë skalper.
Sipas njoftimit, 24-vjeçarja e ka sqaruar në tërësi mënyrën e kryerjes së veprës penale.
Pas dokumentimit të plotë të rastit, Njësia për Punë të Brendshme Kisella Vodë do të parashtrojë kallëzim penal ndaj saj për dyshime të bazuara për veprën penale „tentim-grabitje“, sipas nenit 237 në lidhje me nenin 19 të Kodit Penal.
Policia po vazhdon procedurat për zbardhjen dhe dokumentimin e rasteve të raportuara.
Flaka















