Incidente mes tifozëve të Teteksit dhe Pelisterit: Sulm ndaj shoferit të autobusit dhe policit, tre persona arrestohen
Dy incidente të lidhura me grupet e tifozëve janë regjistruar më 21 nëntor në Manastir dhe në afërsi të Demir Hisarit, në ditën e ndeshjes së futbollit ndërmjet Pelisterit dhe Teteksit të Tetovës.
Sipas njoftimit të policisë, rreth orës 16:00, në afërsi të fshatit Slepçe, në rajonin e Demir Hisarit, janë privuar nga liria tre persona: N.P. (31) dhe F.N. (28) nga Tetova, si dhe B.M. (39) nga Shkupi.
Sipas SPB-së, personat ishin pjesë e grupeve të tifozëve „Vojvodi“ nga Tetova dhe „Komiti“ nga Shkupi. Ata dyshohen se kishin sulmuar fizikisht shoferin e njërit prej autobusëve që transportonin tifozët, si dhe një nëpunës policor.
Mjete piroteknike në stadiumin e Manastirit
Ndërkohë, incident tjetër është regjistruar gjatë ndeshjes së futbollit ndërmjet FK Pelisterit nga Manastiri dhe FK Teteks 1953 nga Tetova, e zhvilluar në orën 13:30 në stadiumin e qytetit „Petar Milloshevski“ në Manastir.
Gjatë kontrollit në hyrje të stadiumit, te dy persona, pjesë e grupit të tifozëve nga Tetova, S.K. (30) dhe F.N. (28), janë gjetur mjete piroteknike.
Të dy personat janë ndaluar në stacionin policor në Manastir.
Policia njofton se pas dokumentimit të plotë të të dyja ngjarjeve do të vijojnë parashtresat përkatëse.
Dy incidentet kanë përfshirë tifozë të lidhur me dy grupet e njohura, „Vojvodi“ dhe „Komiti“, në kuadër të zhvillimeve rreth ndeshjes mes Pelisterit dhe Teteksit.
Flaka















