U dënua për vjedhjen e qebapëve, prej nëntë vitesh është në arrati dhe kërkohet me fletarrest ndërkombëtar
Petre Karamanovi nga Velesi, i cili u bë i njohur për vjedhjen e 150 qebapëve në vitin 2015, vazhdon të jetë në kërkim nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut.
Për të është lëshuar fletarrest qendror dhe ndërkombëtar, pasi në prill të vitit 2017 u largua nga burgu i Idrizovës për të kaluar disa ditë në shtëpi, por nuk u kthye më për të vazhduar vuajtjen e dënimit.
Rasti fillimisht kishte tërhequr vëmendjen pasi në vitin 2015, Karamanovi, atëherë 31-vjeçar, kishte hyrë me forcë në një restorant pranë stacionit të autobusëve në Veles dhe kishte vjedhur 150 qebapë, 20 qofte, pije alkoolike dhe produkte të tjera, me vlerë rreth 6.000 denarë. Për këtë vepër ishte dënuar me tre vjet burg.
Megjithatë, ai nuk ishte dënuar vetëm për vjedhjen e qebapëve. Sipas informacioneve të institucioneve, Karamanovi kishte edhe dënime të tjera për grabitje dhe vjedhje të rënda, ndërsa dënimi i përgjithshëm ndaj tij arrinte në gjashtë vjet e 11 muaj burg.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë konfirmuar për “Sloboden Peçat” se ndaj tij vazhdon të jetë aktiv fletarresti qendror dhe ndërkombëtar për shkak të arratisjes nga burgu.
Historia e tij vazhdon të përmendet në opinionin publik si një nga rastet më të pazakonta të drejtësisë në vend.
Flaka















