ESM me fitim prej 449 milionë denarësh në gjysmën e parë të vitit 2026, pas dy vitesh me humbje miliardëshe
SHA EMV (ESM) e ka përmbyllur gjysmën e parë të vitit 2026 me fitim para tatimit prej 449 milionë denarësh, duke shënuar një kthesë të rëndësishme financiare krahasuar me dy vitet paraprake, kur në të njëjtën periudhë kishte regjistruar humbje prej miliarda denarësh.
Sipas raportit financiar për periudhën janar–qershor 2026, të publikuar në faqen zyrtare të kompanisë, rezultatet pozitive i atribuohen proceseve të konsolidimit, ristrukturimit dhe rritjes së prodhimit vendor.
Gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, ESM ka realizuar të hyra të përgjithshme prej 11,89 miliardë denarësh, ndërsa shpenzimet kanë arritur në 11,44 miliardë denarë.
Për krahasim, në të njëjtën periudhë të vitit 2025, kompania kishte realizuar të hyra prej 10,49 miliardë denarësh dhe shpenzime prej 15,24 miliardë denarësh, duke regjistruar humbje prej 4,75 miliardë denarësh. Në vitin 2024, të hyrat kishin arritur në 11,52 miliardë denarë, shpenzimet në 15,57 miliardë denarë, ndërsa humbja kishte qenë 4,05 miliardë denarë.
Sipas ESM-së, rezultati pozitiv i vitit 2026 është pasojë e rritjes së efikasitetit në proceset e punës, nxjerrjes së qymyrit dhe prodhimit të energjisë elektrike.
Përmes masave të ndërmarra janë ulur shpenzimet për nxjerrjen e lëndës djegëse primare dhe konsumi i mazutit, duke ndikuar drejtpërdrejt në uljen e kostos së përgjithshme të prodhimit të energjisë elektrike. Paralelisht, kompania ka ndërmarrë aktivitete për forcimin e sistemit elektroenergjetik dhe rritjen e besueshmërisë së prodhimit.
Rritje e konsiderueshme është shënuar edhe në të hyrat nga shitja e energjisë elektrike dhe ofrimi i shërbimeve sistemore. Së bashku me përmirësimin e efikasitetit dhe uljen e shpenzimeve joproduktive, këto rezultate kanë mundësuar që ESM të realizojë EBITDA prej 1,65 miliardë denarësh në gjysmën e parë të vitit.
Pagesa e kredive dhe stabiliteti financiar
Rimëkëmbja financiare po zhvillohet paralelisht me shlyerjen e rregullt të detyrimeve kreditore.
Në periudhën janar–qershor 2026, kompania ka paguar 1,39 miliardë denarë në bazë të kredive, ndërsa deri në fund të vitit duhet të shlyejë edhe 1,72 miliardë denarë të tjera. Nga ESM bëjnë të ditur se kanë siguruar mjetet e nevojshme për përmbushjen me kohë të të gjitha detyrimeve kreditore.
Ulja e kostos së prodhimit të energjisë elektrike, sipas kompanisë, i mundëson ESM-së të operojë me çmime nën mesataren e bursave rajonale, përfshirë edhe bursën HUPX.
Në këtë mënyrë, prodhimi vendor kontribuon në zbutjen e goditjeve të mundshme të çmimeve dhe në mbrojtjen e amvisërive dhe bizneseve të vogla nga paqëndrueshmëria e tregjeve energjetike.
Rezultatet financiare hapin rrugën për cikël të ri investimesh
Rezultatet pozitive financiare pritet të shërbejnë edhe për përshpejtimin e tranzicionit energjetik, zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe përgatitjen e projekteve për zëvendësimin e qymyrit si lëndë djegëse primare.
Sipas raportit, në mbledhjen e fundit të Komitetit për Investime Publike, përveç gjashtë projekteve kapitale që tashmë janë në realizim, janë konfirmuar dhe miratuar edhe shtatë projekte të reja investuese, ndërsa nëntë të tjera janë në proces miratimi.
Në total, 22 projekte synojnë të kontribuojnë në prodhim të qëndrueshëm dhe të besueshëm të energjisë elektrike nga burimet vendore, në pronësi të ESM-së.
Synimi strategjik është forcimi i kapaciteteve vendore energjetike në periudhën afatmesme dhe afatgjatë, si dhe sigurimi i stabilitetit energjetik të vendit, me ambicien që Maqedonia e Veriut në të ardhmen të shndërrohet në eksportues neto të energjisë elektrike.
Rezultatet e gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 shënojnë një kthesë në punën financiare të ESM-së, nga humbjet prej miliarda denarësh në dy vitet paraprake drejt rezultatit pozitiv, me ulje të shpenzimeve, rritje të efikasitetit dhe paralajmërim të një cikli të ri investimesh në sektorin energjetik.















