Shkupi përgatitet për garën e 12-të të Babagjyshit, më 27 dhjetor
Edhe këtë vit, në prag të Vitit të Ri, rrugët e Shkupit do të gjallërohen nga gara tradicionale e Babagjyshit. Bëhet fjalë për edicionin e 12-të të kësaj gare, ku qytetarët, të veshur me kostume të Babagjyshit, vrapojnë për t’i dhënë lamtumirën vitit që po përfundon.
Këtë vit, gara do të mbahet më 27 dhjetor (e diel), me nisje dhe përfundim në sheshin e qytetit „Maqedonia“. Aktiviteti do të shoqërohet me muzikë festive dhe argëtim për të gjithë familjen.
Gara do të fillojë në orën 12:30. Pjesëmarrësit do të nisen përgjatë shëtitores së lumit Vardar, në anën e Qendrës Tregtare të Qytetit (GTC), do të kalojnë urën „Sloboda“ pranë bulevardit „Filipi i Dytë“ dhe do të vazhdojnë në anën tjetër të shëtitores, nga Ministria e Punëve të Jashtme drejt Urës së Gurit. Pas kalimit të kësaj ure, gara do të përfundojë sërish në sheshin „Maqedonia“.
Organizatore e aktivitetit është shoqata „Prv do Vrv“, e cila u bën thirrje qytetarëve që t’i bashkohen kësaj feste sportive dhe festive.
„Vraponi ose shëtisni rreth dy kilometra në qendër të Shkupit, së bashku me familjen ose shoqërinë. Kostumi i Babagjyshit është i detyrueshëm për të gjithë pjesëmarrësit“, njoftojnë organizatorët.
Për fëmijët deri në moshën 10-vjeçare janë përgatitur pako të Vitit të Ri, ndërsa për pjesëmarrësit do të ndahen medalje dhe çmime për më të shpejtët.
Gjithashtu, do të organizohet një lotari festive me disa shpërblime për të gjithë pjesëmarrësit, ku çmimi kryesor do të jetë një biçikletë.















