Samiti i liderëve të Procesit Brdo-Brioni mbahet sot në Ohër
Perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor, zbatimi i reformave të nevojshme, forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë do të jenë në fokus të Samitit të liderëve të Procesit Brdo-Brioni, që mbahet sot në Ohër.
Pritëse e samitit është presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ndërsa bashkorganizatore janë presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, dhe presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq.
Në samit do të marrin pjesë ushtruesi i detyrës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Çupiç, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, kryesuesja dhe anëtarët e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviq, Denis Beqiroviq dhe Darijana Filipoviq, si dhe presidentët e Shqipërisë dhe Kosovës, Bajram Begaj dhe Vjosa Osmani.
Përveç integrimit evropian dhe bashkëpunimit rajonal, liderët do të diskutojnë edhe për sfidat aktuale evropiane dhe rajonale, ndërlidhjen infrastrukturore, çështjet mjedisore dhe krijimin e mundësive më të mira për punësimin e të rinjve.
Takimi pritet të nisë në orën 11:00, ndërsa në orën 14:30 është paraparë konferencë e përbashkët për media nga Siljanovska-Davkova, Pirc Musar dhe Millanoviq.
Procesi Brdo-Brioni është një nismë rajonale e themeluar në vitin 2013, me synim përshpejtimin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe kontributin në stabilitetin e rajonit përmes forcimit të bashkëpunimit dhe zgjidhjes së çështjeve të hapura.
Samiti i fundit u mbajt në tetor të vitit të kaluar në Shqipëri, ku liderët miratuan një deklaratë të përbashkët, në të cilën theksuan se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, stabiliteti rajonal dhe pajtimi janë themelet e së ardhmes evropiane të Ballkanit Perëndimor. Në deklaratë u theksua edhe rëndësia e përballjes së përbashkët me sfidat bashkëkohore të sigurisë, kërcënimet kibernetike dhe pasojat e ndryshimeve klimatike.
Samiti i këtij viti fillimisht ishte paraparë të mbahej në maj në Brione, por u anulua nga presidenti kroat Zoran Millanoviq, për shkak të përkeqësimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Zagrebit. Shkak për anulimin ishin deklaratat e atëhershme të presidentit serb Aleksandar Vuçiq lidhur me kapacitetet raketore të Serbisë, si dhe paralajmërimet e tij për sulme të mundshme nga Kroacia, Shqipëria ose Kosova.
Ndërkohë, takimi në Ohër po zhvillohet nën masa të shtuara sigurie dhe me regjim të veçantë të komunikacionit në qytet dhe rrethinë. Policia ka vendosur masa fizike dhe të trafikut për sigurimin e rrugëve, objekteve dhe lokacioneve të përfshira në protokollin e vizitës.
Kontrollet dhe masat për rregullimin e komunikacionit përfshijnë itineraret nëpër të cilat do të lëvizin automjetet me eskortë. Vëmendje e veçantë i është kushtuar bulevardit “Turisticka” në Ohër, një pjese të autostradës Ohër-Kërçovë, zonës qendrore të Strugës, rrugës rajonale Strugë-Dibër, si dhe rrugëve të tjera ku ndalohet ndalimi dhe parkimi i automjeteve.
Nga policia u bëjnë apel drejtuesve të automjeteve që të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë në terren dhe t’i përdorin automjetet vetëm në raste të domosdoshme gjatë zbatimit të masave, me qëllim sigurimin e qarkullimit të pandërprerë dhe të sigurisë së të gjithë pjesëmarrësve në trafik.
Samiti i liderëve të vendeve pjesëmarrëse në Procesin Brdo-Brioni në Ohër po përcillet nga një numër i madh ekipesh gazetareske, jo vetëm nga Maqedonia e Veriut, por edhe nga vendet e rajonit.
Flaka















