LSDM ngre zërin: Institucionet në Maqedoni nuk po hetojnë rastin e “Alta Bankës”
Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) akuzon se institucionet në Maqedoninë e Veriut nuk po ndërmarrin masa lidhur me rastin e “Alta Bankës”, ndonëse në Serbi hetimi po zgjerohet me të dyshuar të rinj dhe arrestime.
Nga partia thonë se drejtori i Drejtorisë së Policisë Financiare, Slobodan Ivanovski, gjatë seancës mbikëqyrëse në Kuvend ka konfirmuar se Banka Popullore nuk e ka njoftuar Drejtorinë për rastin dhe as nuk ka kërkuar kontrolle ndaj personave nga bordi drejtues apo mbikëqyrës i bankës. Sipas LSDM-së, Ivanovski ka konfirmuar gjithashtu se Policia Financiare nuk ka hapur lëndë për këtë rast, raporton Skopje1.mk.
Nga LSDM-ja pyesin nëse janë verifikuar burimi i kapitalit dhe pretendimet për para të përfituara në mënyrë kriminale, si dhe çfarë roli kanë pasur konsultimet mes guvernatorit Trajko Sllaveski dhe kryeministrit Hristijan Mickoski në hyrjen e “Alta Bankës” në tregun maqedonas.
Partia thekson se hetimi në Serbi po zgjerohet dhe se në mesin e të dyshuarve të rinj është edhe Dubravko Macura, vëllai i pronarit të bankës, Davor Macura, i cili është arrestuar më herët. Ai dyshohet se ka hyrë pa autorizim në kasafortën e bankës dhe ka nxjerrë para të gatshme në euro, të cilat ia ka dorëzuar vëllait të tij. Në kuadër të të njëjtit rast është arrestuar edhe drejtoresha e kompanisë “Alta Pe Group”, Tatjana Bundalo.
Sipas LSDM-së, në Serbi po zhvillohet hetim, ka persona të arrestuar dhe “Alta Bankës” i është revokuar licenca, ndërsa në Maqedoninë e Veriut ende nuk ka një hetim të bërë publik.
LSDM-ja rikujton se më 12 nëntor ka ngritur kallëzim penal kundër Trajko Sllaveskit dhe zyrtarëve të tjerë të Bankës Popullore. Nga kjo parti kërkojnë përgjigje nëse Prokuroria po vepron lidhur me kallëzimin apo nëse ai ende nuk është shqyrtuar, duke pyetur njëkohësisht pse institucionet kompetente nuk kanë hapur hetim.
Flaka















