Ku duhej të ishte Filipçe, në prokurori apo në takim me kryeministrin

Flaka
Botuar nga Flaka 4 Prill, 2025 23:08

Ku duhej të ishte Filipçe, në prokurori apo në takim me kryeministrin

Shkruan: Naser SELMANI

Kryeministri Hristijan Mickoski u takua dje me liderin e opozitës maqedonase, Venko Filipçe, ku të dy u pajtuan të bashkëpunojnë në zbatimin e reformave dhe përmirësimin e situatës në sektorë strategjikë si shëndetësia dhe energjetika. Takimi u iniciua nga lideri i LSDM-së, Filipçe, me arsyetimin se “institucionet duhet të çlirohen nga kthetrat e politikës.”

Në demokracitë funksionale, dialogu ndërmjet pozitës dhe opozitës është praktikë standarde dhe thelbësore për stabilitetin institucional. Megjithatë, Maqedonia e Veriut është kritikuar vazhdimisht nga Bashkimi Evropian për mungesën e këtij dialogu, sidomos kur bëhet fjalë për çështje me interes të përgjithshëm kombëtar. Nga ky këndvështrim, takimi Mickoski–Filipçe është për t’u përshëndetur.

Por ajo që mungoi në këtë takim ishin konkretisht temat e trajtuara dhe mesazhet që duhej të transmetoheshin. Pas tragjedisë së rëndë në Koçan, ku humbën jetën 60 qytetarë, opinioni priste një deklaratë të përbashkët nga liderët politikë – një mesazh i qartë që kërkon hetim të plotë, të pavarur dhe transparent. Një sinjal se fajtorët do të dalin para drejtësisë dhe qytetarët do të marrin garanci se tragjedi të tilla nuk do të përsëriten.

Në një vend ku kujtesa kolektive është ende e rënduar nga tragjedi të pazbardhura – si ajo e spitalit modular në Tetovë – dërgimi i këtij mesazhi nuk do të përbënte hakmarrje, por përgjegjësi shtetërore dhe respekt për viktimat. Fatkeqësisht, ai mungoi.

Pse ky mesazh nuk u dërgua nga dy figurat më të rëndësishme politike të vendit?

Përgjigjja është e thjeshtë: Venko Filipçe nuk është në pozicion të kërkojë përgjegjësi institucionale, sepse ai vetë është simbol i mos-përgjegjësisë politike. Në kohën e tragjedisë së Tetovës, ku 14 persona humbën jetën në spitalin modular, Filipçe ishte Ministër i Shëndetësisë. Asokohe, ai nuk dha dorëheqje dhe as nuk u thirr nga organet e drejtësisë për të dhënë llogari. Deri më sot, publiku nuk ka marrë përgjigje për rrethanat e atij rasti: Kush i nënshkroi kontratat? Cilat kompani ndërtuan spitalet? Me çfarë materiali? Kush përfitoi?

Në një shtet ku sundon ligji, Filipçe do të duhej të ishte përballur me drejtësinë, jo të merrte rolin e liderit të opozitës që predikon “çlirimin e institucioneve nga politika”. Ky është jo vetëm paradoks, por edhe tallje me opinionin publik.

Një tjetër mungesë serioze në takimin Mickoski–Filipçe ishte përkushtimi ndaj integrimit evropian – një prej prioriteteve strategjike të vendit. Heshtja rreth kësaj teme tregon se për liderët aktualë maqedonas, anëtarësimi në BE nuk është më prioritet. Në këtë kontekst, lind pyetja: Cfarë qëndrimi duhet të mbajnë partitë shqiptare karshi këtij neglizhimi?

Shqetësimi i fundit që ngrihet për takimim Mickovski-Filipçe është mungesa e liderëve politik  shqiptar. Pyetja është legjitime, por e kontestueshme është kush e shtron pyetjen, BDI. Si duket Ali Ahmetit vonë i ka dalë gjumi.

Pas 22 vitesh në pushtet, BDI nuk ka tradhtuar vetëm interesin shqiptar, por mbi të gjitha – veten. Ai ka braktisur parimet që dikur i artikulonte si vlera – Bashkim, Demokraci dhe Integrim – dhe sot është një nga përgjegjëset kryesore për përçarjen politike të shqiptarëve, kapjen e shtetit dhe stagnimin në procesin e integrimit evropian.

Rezultati është i qartë: shqiptarët të përçarë si kurrë më parë, institucionet më të politizuara, dhe perspektiva evropiane e pasigurtë.

71
SONDAZHI

A e lejon legjislacioni aktual që studentët shqiptarë ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare?

Flaka
Botuar nga Flaka 4 Prill, 2025 23:08
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media. Shkrimet nga MGID, nuk janë në menaxhim të redaksisë.
71
SONDAZHI

A e lejon legjislacioni aktual që studentët shqiptarë ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare?

  • 2,8 miliardë euro në bixhoz: simptomë e një shoqërie në pasiguri – Çfarë flet sociologjia për fenomenin?