Takimet e presidentit Begaj në Shkup, Meidani: Një ndalesë e shkurtër, por me shumë kuptim
Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani ka komentuar takimet e presidentit shqiptar Bajram Begaj në Shkup. Meidani thotë se ndonëse ishin ndalesa të shkurtra, të njëjtat kanë shumë kuptim.
“Kënaqësi të mirëprisja sërisht në Shkup Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Sh.T. Bajram Begaj, gjatë kthimit nga samiti “Aqaba Process Balkans Forum III”. Një ndalesë e shkurtër, por me shumë kuptim, e shoqëruar me takime të rëndësishme dhe aktuale me përfaqësues të faktorit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Biseda të hapura, reflektim mbi sfidat dhe vizion të përbashkët për rrugëtimin euroatlantik të rajonit tonë”, ka shkruar Meidani.
Ndryshe, më tre prill, presidenti Begaj takoi zëvendëskryeministrin e parë Izet Mexhiti, kreun e Kuvendit Afrim Gashi dhe zëvendëskryeministrin Arben Fetai, ndërkaq sot, më pesë prill, takoi kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti dhe kryetarin e ASH-së, Arben Taravari.
“Sot pata kënaqësinë të zhvilloj një takim të përzemërt dhe vëllazëror me Presidentin e Shqipërisë, Sh.T.Z. Bajram Begaj, me të cilin biseduam për zhvillimet në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në rajon dhe më gjerë. Ndamë shqetësimin e përbashkët se zhvillimet aktuale, si në vend ashtu edhe në rajon, nuk po ecin në drejtimin e duhur. Megjithatë, besoj dhe konfirmova bashkë me Presidentin Begaj se Republika e Maqedonisë së Veriut ka kapacitetet e nevojshme për të tejkaluar sfidat me të cilat përballet. Ajo që mungon nuk është aftësia, por vullneti – vullnet që duhet të jetë i ndërsjellë”, shprehet Ahmeti.
Sipas tij, në radhë të parë, duhet të përmirësohen marrëdhëniet ndëretnike dhe të mbrohen arritjet e frymës së Marrëveshjes Paqësore të Ohrit.
“Po ashtu, duhet të respektohen edhe marrëveshjet e tjera të rëndësishme si ajo e Prespës dhe marrëveshjet për fqinjësi të mirë, që hapin rrugën për një të ardhme të përbashkët evropiane. Ramë dakord se e ardhmja e rajonit është në stabilitetin e qëndrueshëm dhe integrimin e plotë në Bashkimin Evropian. Paqja nuk mund të jetë funksionale në mënyrë parciale – duhet të jetë gjithëpërfshirëse, duke përfshirë të gjitha vendet dhe popujt e Ballkanit Perëndimor në frymën e pajtimit dhe bashkëpunimit. Presidenti Begaj konfirmoi edhe një herë se Shqipëria do të mbrojë me përkushtim Kushtetutën e saj, por gjithashtu do të jetë gjithmonë gardiane e interesave të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve të saj”, shtoi Ahmeti.
Sipas tij, takime të tilla i shërbejnë jo vetëm shqiptarëve kudo që janë, por edhe forcimit të marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërshtetërore mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
“Sepse vetëm përmes paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit të ndershëm mund të ndërtojmë një të ardhme të dinjitetshme për të gjithë qytetarët tanë”, tha Ahmeti pas takimit.
Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari shoqëruar nga Sakretari i Përgjithshëm i partisë Blerant Ramadani, kanë takuar sot presidentin e Shqipërisë Bajram Begajn.
“Bashkë me Sekretarin e Përgjithshëm të ASH-së Blerant Ramadani, kisha një takim vëllezëror me presidentin Bajram Begaj! Faleminderit z.President”, tha Taravari.
















