VV s’heq dorë nga Haxhiu – kriza parlamentare drejt shpërthimit
Kosova po shkon drejt tentativës së 14-të për konstituimin e Kuvendit, ndërsa bllokada politike sa vjen e thellohet. Lëvizja Vetëvendosje nuk tërhiqet nga emri i Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit dhe as nga ideja për të ndryshuar formën e votimit në të fshehtë, pavarësisht se kandidatja nuk ka arritur të sigurojë kurrë më shumë se 57 vota.
Partitë opozitare PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe vazhdojnë të bojkotojnë procesin, duke mos propozuar anëtarë të Komisionit për votim të fshehtë. PDK dhe AAK kanë dhënë sinjale për kompromis vetëm nëse VV ndryshon kandidaturën. LDK, nga ana tjetër, është kategorike: nuk voton asnjë emër të propozuar nga VV-ja.
Albin Kurti këmbëngul se nuk do të bëjë kompromis për këtë fazë të procesit:
“Ne kemi të drejtë kushtetuese për të propozuar Albulena Haxhiun. Nuk heqim dorë,” tha ai.
Pasi kërkesa për koalicion me LDK-në u refuzua nga Lumir Abdixhiku, VV hodhi poshtë edhe propozimin e kësaj të fundit për një Qeveri Nacionale të Tranzicionit, duke insistuar në një qeveri normale.
Për zgjidhjen e ngërçit institucional, kërkohet ndërhyrja e presidentes Vjosa Osmani, e cila pritet të ftojë së shpejti partitë politike në një takim konsultativ gjithëpërfshirës.
A do të thyehet ngërçi më 14-tën herë? Apo kriza do të thellohet edhe më tej? Flaka Media
















