Murtezani: Integrimi evropian pa pengesa bilaterale, Qeveria mbetet e përkushtuar
Ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, ka përsëritur këtë mëngjes përkushtimin e Qeverisë për të çuar përpara ndryshimet kushtetuese me zbatim të vonuar si pjesë e procesit të integrimit evropian. Ai theksoi se integrimi duhet të bazohet në vlera dhe standarde evropiane, e jo në çështje dypalëshe, transmeton Flaka
“Është e qartë se nuk ka asnjë mënyrë për të shmangur ndryshimet kushtetuese, por është përgjegjësia jonë të sigurohemi që ato të jenë kushti përfundimtar dypalësh,” deklaroi Murtezani.
“Nuk kemi problem nëse shtetet anëtare kanë kërkesa shtesë, por ato duhet të jenë brenda kornizës së reformave evropiane dhe të mos kthehen në bllokada.”
Ai shtoi se Qeveria mbetet e vendosur që të mos lejojë bilateralizimin e mëtejshëm të procesit të anëtarësimit dhe përkujtoi se kyeministri Hristijan Mickoski, është shprehur i gatshëm për bisedime.
Në lidhje me reformat e brendshme, Murtezani konfirmoi se kodi i ri zgjedhor dhe ligji për Këshillin Gjyqësor nuk pritet të miratohen në afatet e caktuara për shkak të ndërlikimeve politike dhe nevojës për konsensus më të gjerë shoqëror.
“Këto janë hapa më kompleksë që kërkojnë kohë dhe marrëveshje të gjerë politike. Ne do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim për realizimin e tyre,” tha ai.
Lidhur me Planin e Rritjes dhe Agjendën e Reformës, Murtezani nënvizoi se nuk ka asnjë rrezik bllokimi të fondeve, dhe se vendi tashmë ka përfituar 52 milionë euro në parafinancim, duke qenë i pari në rajon që i ka marrë këto mjete. Flaka Media
















