Gojën plot për Nerovën dhe shqiptarët e Krushevës – por vetëm kur vijnë zgjedhjet
Në çdo cikël zgjedhor, partitë politike shqiptare “zbresin” në fshatin e vogël me fjalime të zjarrta, premtime për përkrahje pa kushte dhe betime për zhvillim, shkolla e investime. Por, sapo mbyllet kutia e fundit e votimit, gjithçka shuhet. Mbështetja kthehet në heshtje, prania në mungesë, dhe hallet e banorëve – në statistikë pa zë, shkruan Flaka
Rasti i fundit me shkollën në fshatin Nerovë e zbardh më së miri këtë realitet të hidhur: banorët, të lodhur nga premtimet boshe dhe injorimi institucional, ndërtuan me mund, djersë dhe para të tyre një objekt shkollor për t’u siguruar fëmijëve arsim në gjuhën amtare. Ky ishte një akt vetëorganizimi, i ndershëm dhe fisnik. Por në vend të mbështetjes, tani kërcënohen me rrënim nga ana e shtetit.
Dhe ku janë tani ata që dikur premtonin se do të “ndryshonin fatin e çdo fshati shqiptar”? Ku janë përfaqësuesit politikë që bënë fushatë me flamurin kombëtar në Krushevë dhe dhanë fjalën se do ishin mburojë për çdo shqiptar?
Në vend të solidaritetit, heshtje. Në vend të veprimit, ikje nga përgjegjësia. Ata që dikur grumbullonin vota me fjalë për arsim në shqip, sot janë të ulur në zyra luksoze, të izoluar nga realiteti i dhimbshëm i njerëzve që i votuan.
Nerova nuk është thjesht një fshat i vogël në Krushevë – është një simbol i premtimeve të tradhtuara dhe një pasqyrë për hipokrizinë politike. Banorët e saj nuk kërkojnë shumë – vetëm arsim, dinjitet dhe përfaqësim të vërtetë.
E nëse partitë politike e kujtojnë Nerovën vetëm për vota, banorët kanë të drejtë të pyesin: “Kujt i shërben zëri ynë në kuti, nëse pas zgjedhjeve nuk kemi askënd që na dëgjon?”
Është koha që partitë të kuptojnë: fjalët nuk mbajnë më. Koha e veprimit është tani – jo në fushatën tjetër. Flaka Media
















