Nga përkrahëse e flaktë e Taravarit në aleate të Fetait – Çfarë e ndryshoi Yllka Nuredinin?
“Gjuha juaj e urrejtjes nuk përputhet me ideologjinë tonë politike” – ishte një nga mesazhet që Yllka Nuredini publikonte më herët në rrjetet sociale, në mbështetje të qëndrimeve të Arben Taravarit dhe Aleancës për Shqiptarët. Ajo shpërndante vazhdimisht postime në favor të liderit të ASH-së, madje edhe në momentin kritik kur ai mori vendimin për t’u shkëputur nga koalicioni qeverisës dhe nga VLEN, shkruan Flaka.
Por, në një kthesë të papritur politike, Nuredini njoftoi së fundmi mbështetjen për opsionin alternativ të Arben Fetait, duke deklaruar se do të vazhdojë të jetë pjesë e VLEN-it dhe jo e Aleancës për Shqiptarët që udhëhiqet nga Taravari. Ajo publikoi edhe një foto me zv.kryeministrin Arben Fetai, duke u pozicionuar haptazi në krahun e kundërshtarëve të Taravarit – një veprim që ka habitur shumë nga ndjekësit e saj politikë.
Në deklaratën e saj publike, Nuredini përmendi një “dilemë të ndjeshme” mes besnikërisë dhe zërit të brendshëm, duke pohuar se ka zgjedhur “zërin”. Ajo shprehu kritika ndaj bashkëpunimeve që, sipas saj, bien ndesh me ideologjinë e partisë.
Megjithatë, strukturat zyrtare të Forumit Rinor të Aleancës për Shqiptarët (FRASH) reaguan menjëherë dhe qartazi duke u distancuar nga qëndrimi i saj, dhe theksuan se ky nuk përfaqëson as qëndrimin institucional, as shumicën dërrmuese të të rinjve në parti.
“Jemi krenarë për Aleancën për Shqiptarët dhe kryetarin e saj Arben Taravari, dhe nuk bëhemi palë me pushtetin, por qëndrojmë gjithmonë me popullin,” – thuhet në deklaratën e degëve të FRASH-it.
Ata theksuan se besnikëria ndaj parimeve politike është më e rëndësishme sesa komoditeti personal dhe se në këtë moment të rëndësishëm, Aleanca për Shqiptarët ka nevojë për unitet, jo përçarje:
“Të zgjedhësh favoret e qeverisë dhe të lësh partinë, quhet thjesht tradhëti.”
Ndërkohë, disa portale në gjuhën shqipe raportuan informacione të pakonfirmuara, duke aluduar se qëndrimi i Yllka Nuredinit është ndikuar nga interesa personale – përfshirë përfitime të mundshme financiare dhe pozicione për familjarët e saj. Këto mbeten të pavërtetuara, por kanë nxitur reagime në opinionin publik.
Në fund, mesazhi i degëve të FRASH-it ishte i qartë:
“Shihemi në Tetor. Deri atëherë ju urojmë Dinjitet.”
FRASH vazhdon të mbetet një strukturë aktive, e përkushtuar dhe me vizion të qartë, duke ruajtur besimin e saj të palëkundur në drejtimin e Arben Taravarit dhe në kauzën për të cilën u themelua Aleanca për Shqiptarët.
















