Ish-ministri zbardh të vërtetën: Mexhiti përvetëson punën e të tjerëve
Pas deklaratës së zëvendëskryeministrit të parë Izet Mexhiti se janë punësuar 35 specializantë shqiptarë në Qendrën Klinike në Tetovë dhe në Spitalin e Gostivarit, ka ardhur një reagim i ashpër nga ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, i cili e ka quajtur të pavërtetë këtë deklaratë.
Taravari, përmes një reagimi publik, ka hedhur poshtë pretendimin e Mexhitit duke theksuar se numri i vërtetë është 25 shqiptarë, ndërsa 10 specializantë janë nga komunitete të tjera.
“Të paktën kur mburresh me punën e dikujt tjetër, mësoji saktë të dhënat. Janë 25 shqiptarë dhe 10 të komuniteteve tjera, dhe jo 35 shqiptarë,” – ka deklaruar Taravari.
Ai ka lënë të kuptohet se Mexhiti po i atribuon vetes merita për një proces që është iniciuar më herët, në periudhën kur vetë Taravari ishte ministër i Shëndetësisë.
Reagimi i Taravarit nuk ndalet këtu. Ai ka thumbuar edhe Azir Aliun, të propozuarin për ministër të ardhshëm të Shëndetësisë nga radhët e koalicionit të Mexhitit, duke e akuzuar për mungesë parimesh:
“Jemi të bindur që kur Azir Aliu do të vijë në postin e ministrit të Shëndetësisë, për të cilin shiti veten, do të jetë më i kujdesshëm,” – përfundon Taravari në reagimin e tij.
Ky shkëmbim akuzash vjen në një kohë të ndjeshme për koalicionin shqiptar në pushtet, ku garat për pozitat ministrore dhe kreditë politike për punësimet publike duket se janë kthyer në armë retorike mes partnerëve dhe ish-aleatëve.
Ky zhvillim hedh dritë mbi tensionet në rritje mes figurave politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, të cilët shpesh garojnë më shumë për atribut sesa për përgjegjësi, ndërsa qytetarët presin politika më transparente dhe më pak propagandë. Flaka
















