Fetai: Këshill Koordinues përballë veprimeve të njëanshme të kryetarit Taravari
Në vijim të zhvillimeve të fundit brenda Aleancës për Shqiptarët, është themeluar një Këshill Koordinues i përkohshëm, pas akuzave ndaj kryetarit të partisë, Arben Taravari, për veprime të njëanshme dhe jashtë kornizës statutore, shkruan Flaka
Në një takim të mbajtur më 25 maj në Shkup, shumica dërrmuese e anëtarësisë dhe degëve të partisë vendosën për këtë hap, duke theksuar se veprimet e kryetarit kanë shkaktuar konfuzion të madh si në radhët e anëtarëve, ashtu edhe në opinionin publik.
Këshilli Koordinues, i cili do të funksionojë deri në qartësimin dhe stabilizimin e situatës, ka zgjedhur z. Arben Fetai, kryetar i Kuvendit të partisë, si koordinator të tij.
Tre vendime kyçe u morën në këtë mbledhje:
- Zgjedhja e koordinatorit: Z. Arben Fetai u zgjodh koordinator i Këshillit Koordinues.
- Qëndrimi ndaj koalicionit “Vlen”: Aleanca për Shqiptarët do të mbetet pjesë e qeverisë në kuadër të koalicionit “Vlen” me përfaqësim të barabartë dhe proporcional.
- Përfaqësimi në “Vlen”: Është vendosur formimi i një ekipi të ri përfaqësues që do ta përfaqësojë zyrtarisht partinë në të gjitha strukturat e koalicionit.
Nga Këshilli u theksua se këto masa synojnë të ruajnë integritetin e partisë, të respektojnë vullnetin e shumicës dhe të garantojnë funksionimin demokratik dhe transparent të Aleancës për Shqiptarët. Flaka
















