Fetai nga prehri i Taravarit në prehrin e Mexhitit
Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, ka konfirmuar sot se Arben Fetai do të vazhdojë të ushtrojë funksionin si zëvendëskryeministër për Qeverisje të Mirë, ndërsa Azir Aliu do të propozohet për ministër të Shëndetësisë nga subjekti politik VLEN.
“Në kryesinë e VLEN-it është miratuar që Arben Fetai të mbetet zëvendëskryeministër për Qeverisje të Mirë, ndërsa për ministër të Shëndetësisë do të propozohet Azir Aliu. Për pozitat tjera do të vendoset në ditët në vijim,” deklaroi Mexhiti para mbledhjes së koalicionit.
Vendimi vjen në një kohë kur Aleanca për Shqiptarët, e udhëhequr nga Arben Taravari, është larguar nga koalicioni VLEN, duke shkaktuar përçarje të brendshme politike. Megjithatë, bashkëpartiakët e Taravarit, Arben Fetai dhe Azir Aliu, kanë zgjedhur të mos ndjekin liderin e tyre, duke qëndruar në krah të Izet Mexhitit dhe strukturës së re të VLEN-it.
“Lëvizjet e fundit që janë bërë nuk janë në një vijë me votuesit e VLEN-it, me votuesit e ndryhimit, prandaj edhe ndodhën këto ndarje, këto riformatime të reja, sepse edhe anketat profesionale tregojne se ASH-ja është prej fillimit antipod i BDI-së. Mbi 90% e elektoratit të ASH-së nuk e pranojnë t’i shërbejnë kthimit të BDI-së dhe mendoj se këto lëvizje do të vazhdojnë sepse këtu është qëndrimi konsekuent që e kemi premtuar në zgjedhje për ta sjellë ndryshimin, prandaj edhe jemi bashkë këtu. Çdo ditë na bashkohen edhe deputetë edhe struktura të ndryshme, jo vetëm nga ASH-ja por tashmë është destabilizu edhe Fronti Europian dhe atë që mund ta them sonte, që numrat me deputetë i kemi më mirë se sa para kësaj lëvizje që ka ndodhur”, deklaroi zëvendëskryeminsitri i parë Izet Mexhiti.
Ky zhvillim tregon një ripozicionim të dukshëm politik dhe ngrit dilema mbi besnikërinë politike dhe orientimin strategjik të kuadrove brenda skenës shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Flaka
















