BDI: Të shqetësuar për skandalin me veprat e Kadaresë, shkelje morale dhe ligjore, përgjegjësi për Kasamin”
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj një skandali të fundit që, sipas tyre, rëndon mbi kryetarin e Komunës së Tetovës, z. Bilall Kasami, transmeton Flaka. Në një deklaratë publike, BDI shpreh shqetësim të thellë dhe indinjatë për shpërndarjen dhe shitjen e veprave të shkrimtarit të madh Ismail Kadare në mënyrë të paligjshme në Tetovë.
Sipas botuesit të njohur shqiptar, z. Bujar Hudhri nga Shtëpia Botuese “Onufri”, veprat e Kadaresë janë shpërndarë në Tetovë pa të drejta autori, në kundërshtim me ligjin dhe normat etike. Ironikisht, kjo ndodh pak kohë pasi kryetari Kasami e shpalli Kadarenë “Qytetar Nderi” të Tetovës.
BDI e cilëson këtë rast si një dëm të trefishtë:
- Shkelje e rëndë e të drejtave të autorit, me pasoja ligjore dhe morale.
- Mashtrim ndaj qytetarëve të Tetovës, të cilëve u janë ofruar libra me origjinë të dyshimtë.
- Fyerje ndaj figurës së Ismail Kadaresë, një simbol kombëtar që, sipas BDI-së, po përdoret për përfitime politike pa asnjë dinjitet.
BDI kërkon ndërhyrje urgjente të institucioneve kompetente për të hetuar rastin dhe kërkon transparencë të plotë dhe marrje përgjegjësie nga ana e kryetarit Kasami dhe Komunës së Tetovës.
“Kultura dhe figura të tilla si Kadare nuk mund të trajtohen si mall për propagandë politike. Nuk do të lejojmë që emri i Tetovës të njolloset në këtë mënyrë. Zëri i ligjit, i kulturës dhe i përgjegjësisë duhet të mbizotërojë”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Ky zhvillim ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik dhe pritet që institucionet përkatëse të sqarojnë urgjentisht të gjitha rrethanat e këtij skandali. Flaka
















