Qeveria mbetet stabile, Gashi konfirmon shumicën parlamentare
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, deklaroi sot se shumica parlamentare mbetet e qëndrueshme dhe se Qeveria do të vazhdojë të funksionojë me kapacitet të plotë, pavarësisht zhvillimeve të fundit politike.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve para fillimit të Samitit të Alumni “Securing Regional Prosperity through NextGen Leadership”, Gashi theksoi se kalimi i një partie politike në opozitë nuk e rrezikon shumicën parlamentare.
“Shumica është e stabile. Nuk ka dilemë nëse kemi shumicë. Bëhet fjalë për kalimin e njërës prej partive politike në opozitë, por shihni që disa deputetë mbeten pjesë e Koalicionit VLEN. Mendoj se Qeveria dhe shumica parlamentare do të punojnë me kapacitet të plotë,” – tha Gashi.
Lidhur me postin e Ministrit të Shëndetësisë, i cili mbetet vakant, Gashi sqaroi se është në dorën e Kryeministrit Hristijan Mickoski që të propozojë kandidatin, pas çka propozimi do të futet në rend dite dhe do të votohet nga deputetët.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri Izet Mexhiti konfirmoi dje se Koalicioni VLEN ka propozuar Azir Aliun për ministër të ri të Shëndetësisë. Emri i tij do t’i dërgohet Kryeministrit për miratim dhe më pas Kuvendit për votim.
















