Fetai: Hisja që i takonte ASH-së do të mbetet e njëjtë, Mexhiti: U vendos në kryesi të VLEN-it
Anëtarët e Aleancës për Shqiptarët (ASH) që nuk ndoqën rrugën e Arben Taravarit do të vazhdojnë të mbajnë funksione brenda Qeverisë së Maqedonisë së Veriut në koalicion me VLEN-in.
Në kryesi të VLEN-it është vendosur që Arben Fetai të mbetet zv.kryeministër për Qeverisje të Mirë, ndërsa ish-ministri i Shoqërisë Informatike, Azir Aliu, propozohet për ministër të Shëndetësisë, në vend të Taravarit.
Përveç këtyre dy pozitave, priten edhe emra të rinj për zv.ministrat në bujqësi dhe mbrojtje, si dhe zv.drejtor në Doganë, njoftoi zëvendëskryeministri Izet Mexhiti.
“Hisja që i takonte ASH-së në Qeveri do të mbetet e njëjtë. Mund të ketë ndarje të pozitave edhe për deputetë nga Fronti Evropian,” tha Arben Fetai, zv.kryeministër.
Ai theksoi se VLEN-i mbetet i unifikuar dhe se në periudhën e ardhshme do të sqarohet se cilët deputetë nga Fronti Evropian do t’i bashkëngjiten shumicës parlamentare.
Sipas Fetait, hisja qeverisëse e koalicionit VLEN në kuadër të qeverisë do të mbetet e pandryshuar, megjithatë brenda vetë VLEN-it mund të ketë rokada për të akomoduar ndonjë deputet nga Fronti Evropian.
















